Editoriali: Rënia e pritshme e VV-së në Prishtinë

  • 28 December 2016 - 16:59
Editoriali: Rënia e pritshme e VV-së në Prishtinë

Në Kosovë nuk ka mbetur më t'i zësh besë asnjë partie. Të gjitha të inkriminuara, as atyre që e mbajnë lart flamurin e kinse transparencës së rrejshme, antikorrupsionit, luftës vetëm verbale kundër krimit të organizuar, qeverisjes së mirë e transparencës. Kur ndodhi "befasia" e dëmshme në kryeqytet, Shpend Ahmeti me klanin e tij arrogant e kriminal sigurisht që ishin në delirin e festës së pamerituar, pa harruar skemat mafioze biznesore, që do t'i zbatonin në muajt e ardhshëm të inkriminuar. Të gjendur në gjirin e opozitës së flaktë, ishte e lehtë të mashtroje, por vetëm përkohë- sisht opinionin publik, qytetarët e lodhur nga qeverisja njëpartiake prej shumë vitesh.

Por, ja që gjithkujt në fund i çirret maska kriminale. Kryetari me dy Dardanët e tij, njëri komisar i partisë, e tjetri CEO-ja i bizneseve të inkriminuara oligarkike, vunë në lëvizje mekanizmat super-korruptivë, për të realizuar interesat shumëmilionëshe, nga të cilat sigurisht përfitonin të gjithë nga grupi i inkriminuar -Partia hisen e vet, komunarët të tyren, e natyrisht përfituesit e kompanive mafio-monopoliste copën kryesore të krimit të organizuar. Nga opozita agresive, që ia nxirrte sytë çdo keqbërësi e shkelësi të ligjit, çdo të korruptuari dhe abuzuesi të pushtetit, 'Vetëvendosje' si parti në pushtet në komunën kryesore u transformua tërësisht në një organizatë kriminale. Interesat private, partiake, klanore, klientelizmi, dominuan çdo vendim, çdo emërim, çdo projekt, çdo tender, çdo leje ndërtimi apo licencë për punë të tjera. Ish-FER-istat, Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu, kishin gjetur gjirin e ngrohtë në VV dhe partnerin e shkëlqyer Dardan Molliqaj si komisar të tyre të krimit dhe si miratues dhe mbrojtës i veprimeve të tyre kriminale, që siç po shihet, janë po aq të pista, sa të ish-pushtetarëve kriminale, të cilët janë akuzuar gjithnjë nga ata për hajni dhe korrupsion, zhvatje dhe shpërdorim pozite.

Të gjendur në fund të mandatit në kryeqytet dhe përballë zbardhjes së prapaskenave tepër të dëmshme e kriminale, që e kanë shoqëruar administrimin mafioz e të dështuar të kryeqytetit. Lëvizja VV ka mobilizuar lobet e saj në shoqërinë civile e mediet militante, për të sajuar kinse sondazhe favorizuese, që të mos humbasë terren të rrejshëm. Por, zhytja në batakun e mafio-politikës dhe partneriteti me oligarkët e biznesit të dyshimtë e ka zbehur tej mase VV-në dhe figurat e saj tanimë të dyshimta, Shpendin e Dardanin. Tash është vonë, sepse letrat po hapen dhe e vërteta, ndonëse me vonesë, po del në shesh, për t'i djegur të gjithë ata që mashtruan dhe keqpërdoruan pandalshëm për 3 vjet rresht në Prishtinë, dhe jo vetëm!

(Kosova Sot)