Editoriali: Gëzuar skllevër!

  • 30 December 2016 - 17:01
Editoriali: Gëzuar skllevër!

Të dekurajuar, të pashpresë, të papunë, më të varfër, të izoluar, të shkelur, të diskriminuar, të fyer e të poshtëruar, të paarsimuar e të sëmurë, të paushqyer e pa strehë, të lënë në mëshirë të fatit e të larguar prej hallit, në udhëkryq si qytetarë të dorës së fundit…Tabloja kosovare e fundvitit nuk mund të ishte më e zymtë. Po ta dëgjosh pushtetin, të duket se je duke jetuar në një ëndërr, nga e cila vërtet nuk do të doje të zgjohesh: Rritja më e madhe ekonomike në Evropë, të parët në rajon për shumëçka, suksese të jashtëzakonshme, etj., etj…Por, ëndrra mbaron shpejt dhe realiteti ta fshikullon fytyrën si acari i dhjetorit. Në mendje të vijnë me shpejtësi ditët, javët, muajt, gazi lotsjellës, flakët e protestës, presidenti që zgjidhet në shtetrrethim, qindra mijëra nënshkrime kundër marrëveshjeve të dëmshme, kufiri i shitur, Asociacioni ndarës, muri në veri, luksi ministror anembanë globit...Qeverisja e dështuar na e humbi edhe një vit të çmuar, na zmbrapsi, na degradoi tej mase.

Shoqëria jonë kurrë s’ka qenë në gjendje më kaotike. PISA na rikujtoi se çfarë gjeneratash të paarsimuar do ta marrin fatin e Kosovës në duart e tyre. Nuk dinë shkrim e lexim, nuk dinë sa bëjnë dy herë dy! Politika e turpit e ka lëshuar farën e saj kudo, në çdo cep, në çdo qelizë, në secilin institucion, në secilën zyrë shtetërore, publike, të pavarur. As frymë nuk merr dot nëse nuk do apo nuk u “kollit” partia në pushtet, në nivelin komunal ose qendror. As punë nuk ke, as zhvillim biznesi, as leje ndërtimi, asgjë fare. Pasi na rropën me vite të tëra, skema kriminale e tradhtisë së interesave të vendit është perfeksionuar për zhvatje të shtetit edhe përmes arbitrazheve. Kuvendi memec hesht, ndërsa gjobat dhjetëra e qindra milionëshe, si formë e haraçit e vjedhjes moderne të shtetit, mbërrijnë njëra pas tjetrës.

Nëse duam sadopak ta heqim mendjen nga moçali ynë shtetëror, atëherë pak gëzim e gjejmë te ndonjë sukses individual, si ai i Majlindës, kampiones sonë olimpike. Por, sa për shtetin e pushtetin që kemi, le ta harrojë secili një sukses të tillë! Në fund, kur t’i cakërrojmë gotat, kushdo qofsh ti që e bën një urim, qytetar i rëndomtë, nëpunës shteti, rojë, polic, mësues, mjek, zjarrfikës,deputet, drejtor, ministër, spiun, mendohu mirë se kemi pak faj edhe vetë ne, populli i rëndomtë, që votojmë keq e me hile, që kaq shumë durojmë. Sa fort e kemi shtrirë qafën. Gëzuar skllevër kosovarë!

(Kosova Sot)