Editoriali: Guximi për të ndryshuar

  • 04 January 2017 - 16:56
Editoriali: Guximi për të ndryshuar

Ky vit i ri ka nisur me plot telashe të vjetra në secilën sferë, në çdo sektor, në të gjitha nivelet e pushtetit, në politikë e institucione, në kompani publike e administratë, në arsim e shëndetësi, në sport e në kulturë. Pa dashur të tingëllojmë pesimistë, duhet pranuar se si shtet kemi rënë aq poshtë, saqë vështirë të dalësh nga ky qorrsokak brenda një periudhë disavjeçare. Është e qartë se fillimisht do të duhej që vendimmarrësit të vetëdijesoheshin së pari për realitetin, në të cilin po jetojmë.

Të gjithë jemi dëshmitarë se pushteti, në çdo nivel të tij, përpiqet ta mbulojë të vërtetën, që dhemb për të prezantuar para publikut vetëm segmente të caktuara, ku mund të jetë shënuar eventualisht ndonjë arritje modeste, sukses sporadik, detyrë e kryer sipas ligjit. Pjesa dërrmuese e punëve në fakt nuk kryhen sipas normave ligjore, shkeljet janë të gjithfarshme, mungon llogaridhënia, nuk ka kurrfarë transparence. Zyrtarët e lartë bëhen çdo ditë e më shumë pasanikë, ndërsa shumica e popullsisë përballet me nevojat elementare. Mjafton të shihni llogaritë e pushtetarëve apo fëmijëve të tyre në rrjetet sociale, për ta kuptuar më mirë zhvatjen klasike që i bëhet këtij vendi, pasurisë publike, djersës së punëtorëve.

Në këtë vit të ri hyjmë me veset e njohura të qeverisjes, tenderomaninë, hajninë, nepotizmin, militantizmin, pazaret buxhetore dhe të punësimit, ndërsa nevoja për ndryshim më e madhe s'ka qenë asnjëherë tjetër. Shoqëria jonë duhet të gjejë forcë për ta kundërshtuar të keqen, për të mos i lënë komodë qeveritarët e korruptuar, për të kërkuar më tepër nga opozita që kërkon të vijë në pushtet. Qytetarët e këtij vendi mund të bëhen heronjtë e së nesërmes, me vullnetin e tyre, me nismën e tyre për të ndryshuar. Ky vend ka dëshmuar se guximi nuk i mungon dhe duhet t'i kthehet këtij modeli veprimi. Nëse secili në punën e tij, në nismën e tij, në idenë që ka, ndërmerr diçka pozitive, atëherë bashkërisht do t'ia kthejmë shpresën Kosovës. 

(Kosova Sot)