Editoriali: Republikës i duhen liderë të rinj

  • 05 January 2017 - 17:13
Editoriali: Republikës i duhen liderë të rinj

Në këtë viti të ri ndokush mund të shpresojë se do të kemi lajme të mira, si për shembull liberalizim vizash, vende të reja pune, shkolla më cilësore, spitale ku shërohesh e nuk vdes për një pe operacioni, e plot e plot të ngjashme. Por, gjithnjë është e vështirë ose gati e pamundur, si në rastin e Kosovës, që me liderë të njëjtë të presësh rezultate të ndryshme. Prit një vit, prit një mandat, dy, tre, na shkuan gati 17 vjet në liri, e ende nuk jemi as përafërsisht aty ku dikur shpresonim se mund të mbërrinim. Duke llogaritur edhe paraluftën, është lehtësisht e dukshme se një grusht njerëzish, të shndërruar në udhëheqës, po manipulojnë me fatin e qytetarëve, pa u brengosur fare për pasojat. Janë figurat e njëjta, të cilat për më shumë se çerek shekulli sillen e pështillen, administrojnë pushtet e fonde milionëshe, vendosin për gjërat më të rëndë- sishme për shtetin, e nuk i japin llogari askujt.

Dikush nëntokë, e ndonjëri mbi të, në qeveri apo në hije të saj, në komunë apo në gjykatë, në prokurori apo në polici, në shëndetësi apo në arsim, vulën e vendimmarrjes e kanë të njëjtit liderë. Nuk ka si shpjegohet ky degradim i pafund, ky dëshpërim popullor, ky mjerim masiv, ky monopolizim i pushtetit dhe biznesit, tenderëve dhe punësimit, në këtë periudhë kur ndryshimi mbetet thjesht një fjalë, por në realitet ka vetëm rënie. Mijëra njerëz e kanë braktisur këtë vend e qindra e mijëra të tjerë mezi presin t'ia mbathin sa më shpejt. Pamundësia për të jetuar dinjitetshëm, diskriminimi që të bën shteti, mungesa e perspektivës, po e detyrojnë popullin të shohë alternativë shpëtimi. Çka do t'u tregojmë fëmijëve kur të rriten, nëse sundimi i oligarkëve vazhdon, njësoj si në vendet diktatoriale? Ky lidership në pushtet nuk paraqet shpresë për ndryshim dhe sa më parë vjen në shprehje një gjeneratë e re, aq më shpejt mund të çlirohemi nga ky regjim ngulfatës.

(Kosova Sot)