Editoriali: "Qishtu jena na shqiptarët"

  • 06 January 2017 - 17:25
Editoriali:

Ndalimi i liderit të AAK-së, ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, në pjesën franceze të aeroportit të Bazelit, me një fletë-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, është një goditje e rëndë për dialogun që synon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky nuk është rasti i parë, e me sa duket nuk do të jetë as i fundit, sepse duke mos qenë pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë, si EUROPOL e Interpol, autoritetet kosovare nuk do ta dinë asnjëherë se kush është në listën e të kërkuarve.

Qytetarë të zakonshëm, personalitete politike, figura publike, zyrtarë të lartë kosovarë kanë rënë pre e fletë-arresteve serbe që janë në qarkullim që nga koha e regjimit të Milosheviqit, kasapit të Ballkanit. Serbia, në çdo moment, mund të nxjerrë fletë- arreste për shtetasit kosovarë, të cilët mund të ndalohen, të paraburgosen dhe të ekstradohen në duart e autoriteteve të Beogradit. Edhe rasti më i freskët i Haradinajt dëshmon se sa e pasigurt është lëvizja e shtetasve të Kosovës përtej kufijve të shtetit të tyre. Edhe më paradoksale bëhet kjo situatë, kur dihet se një Tribunal Ndërkombëtar për Krime Lufte dy herë e ka shpallur të pafajshëm ish-komandantin e UÇK-së në Dukagjin.

BE-ja duhet ta qartësojë pozicionin e saj, nëse duhet të përfillet drejtësia ndërkombëtare apo gjithnjë do të "befasohemi" nga ndalesat me urdhër-arrestet e Serbisë, që nuk kanë kurrfarë baze juridike, por janë thjesht vendime politike, që çuditërisht po zbatohen nga anëtarët e BE-së, siç është Franca në këtë rast. Këto veprime janë gjithashtu fyerje për Republikën e Kosovës, e cila ka pranuar të miratojë një Gjykatë të Posaçme Speciale vetëm për shqiptarët! Lidershipi kosovar, që udhëheq dialogun me Serbinë, duhet urgjentisht ta rishikojë pozicionin e tij, duke kushtëzuar vazhdimin e procesit me zgjidhjen njëherë e mirë të çështjes së fletë- arresteve ndërkombëtare. Serbia paska mundësi të arrestojë e të ekstradojë shqiptarët e Kosovës, ndërsa, në anën tjetër, mbi 25 mijë padi kundër Serbisë për krime dhe dëme lufte hidhen poshtë nga gjykatat kosovare!

(Kosova Sot)