Editoriali: Një milion

  • 07 January 2017 - 16:59
Editoriali: Një milion

Edhe çfarë skandali duhet të ndodhë tjetër, që të zgjohet nga gjumi ajo që quhet "Prokuroria e Kosovës"? Denoncimi publik i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës se ish-presidenti Behgjet Pacolli, kreu i AKR-së, që synon rikthimin në Parlament i ka ofruar përmes njerëzve të tij një milion euro, për të vendosur në favorin e tij në rastin e zgjedhjes antikushtetuese si president i vendit, do të duhej ta aktivizonte menjëherë organin e akuzës. Por, fatkeqësisht, sa më shumë shtohen skandalet, aq më e heshtur bëhet Prokuroria e Shtetit. Çdo ditë bindemi se politika kriminale i ka futur rrënjët aq thellë në sistemin e drejtësisë, sa është vështirë, të gjesh gjyqtar apo prokuror ta pandikueshëm. Edhe nëse ka ndonjë, janë shefat e tyre, ata që kontrollohen dhe i nënshtrohen diktatit të oligarkëve, atyre që ua mbushin xhepat për shërbimet joligjore, abuzive, që ua bëjnë në mënyrë të vazhdueshme.

Njerëzit që i ofruan ryshfet Enver Hasanit kanë emër e mbiemër. Gjurmët e këtij krimi në tentativë të çojnë te oligarku biznesor, politikani kontrovers, që nuk e ka problem të blejë njerëz, të blejë kuadro, të blejë VIP-a, që ta mbajë gjallë partinë e tij të dështuar tashmë. I mësuar të bëjë biznes në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik, në republikat me sundime autoritare, ku korrupsioni është normalitet, Pacolli natyrisht që nuk do të kursehej, për ta mbajtur postin e presidentit, që ia dha pas një pazari privat presidenti aktual Hashim Thaçi. Me gjasë, trafikimi i kësaj pozite nuk mbaron me një milionëshin e përmendur nga Enver Hasani, por rrënjët janë më thellë, në nëntokën e krimit që bashkëjeton me politikën e korruptuar. Por, për t'i provuar këto dyshime, për t'i vërtetuar këto akuza serioze, Prokuroria e Shtetit duhet të angazhohet, të ketë guxim, të marrë në pyetje të përfshirët e dyshuar dhe me siguri e vërteta mund të zbardhet. Kjo e vërtetë duket se është tronditëse, por qytetarët duhet të mësohen me të vërtetën dhe të mos ushqejnë iluzione të kota për liderët mashtrues, pazarxhinj dhe dallaveraxhinj.

(Kosova Sot)