Editoriali: Dinjitet shtetëror - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Dinjitet shtetėror

Editoriali: Dinjitet shtetėror

Kuvendi i Kosovës debatoi dje gjatë për ndalimin e liderit të AAK-së, ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze, që përfillën një fletarrest të shpërndarë në zyrat e Interpolit nga Serbia, armiku më i madh i pavarësisë së shtetit tonë. Përpjekja e deputetëve për ta hedhur fajin herë te njëri zyrtar apo institucion, ishte qesharake, sepse është më se e qartë se e tërë politika mban përgjegjësi për neglizhimin e këtyre fletarresteve, që, si duket, sa herë i konvenon Beogradit aktivizohen ndaj ish-komandantëve të UÇK-së. Të gjithë bashkërisht, duke nisur nga kreu i shtetit, duhet ta pranojnë gabimin e rëndë që kanë bërë, duke mos e sqaruar me kohë këtë çështje, edhe pse bisedimet me Serbinë kanë nisur prej disa vitesh.

Ndalimi i personaliteteve me ndikim shkakton gjithnjë tensione dhe hap fronte krize të panevojshme, ndërsa politika zyrtare e të dy vendeve aspiron për normalizim të marrëdhënieve. Kuvendi i Kosovës nuk ka fuqi të ndikojë në lirimin e Haradinajt apo në anulimin e fletarresteve të Serbisë, por ajo që mund të bëjë është të diktojë kursin e ri të dialogut të Brukselit. Është e pashmangshme që ky dialog duhet të riformatohet dhe më në fund edhe Kosova të shohë pak interesin e saj, të luftojë për ruajtjen e sovranitetit dhe moscenimin e integritetit territorial të vendit. Kuvendi gjithashtu ka mundur të ndërmarrë edhe ndonjë masë tjetër, por për shkak të komprometimit të partive dhe përfaqësuesve të popullit, nuk e ka hedhur asnjë hap të tillë.

Për shembull, përse në një rast të tillë, të mos ndalet importi nga Serbia? Ndoshta një gjë e tillë sigurisht i pengon edhe Qeverisë, numri dy i së cilës është top-importuesi nga Serbia, por për hir të interesit shtetëror a duhen lënë ndonjëherë përfitimet personale, biznesore, grupore, kontrabandiste etj?! Pushtetarët tanë duhet të mësohen të sillen si shtetarë me dinjitet, në mënyrë që edhe pala tjetër t'i marrë më seriozisht, edhe ndërkombëtarët të mos sillen si mbretër, gati nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë.

(Kosova Sot)

 

20 orë e 21 minuta më parë