Editoriali: Incidentet që i lajmëron Serbia

  • 12 January 2017 - 17:00
Editoriali: Incidentet që i lajmëron Serbia

Politika zyrtare e Serbisë ka nisur të lansojë spekulime të njëpasnjëshme, në lidhje me mundësitë e incidenteve, pas ndalimit të ish-kryeministrit dhe ishkomandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, në Francë, përmes një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Beogradi. Skenari serb duket i qartë edhe në këtë rast. Shteti fqinj, që e kundërshton ashpër Pavarësinë e Kosovës, është në gjendje të sajojë skenarë të ndyrë për të nxitur tensione dhe dhunë, në mënyrë që t'i paraqesë serbët minoritarë të Kosovës, si të pambrojtur, për të shtuar kështu ndikimin e vet në vendimmarrjen e tyre.

Në këtë politikë të mbrapshtë, që bie ndesh me parimet e dialogut të zhvilluar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë dhënë kontribut edhe liderët jovizionarë e të papërgatitur të vendit tonë, të cilët kanë udhëhequr procesin negociator. Është më se e qartë tashmë se ata kanë shkuar me duar në xhepa dhe më të interesuar kanë qenë të shëtisin rrugëve dhe shitoreve të Brukselit, sesa të nxjerrin dobi konkrete për vendin nga dialogu me palën serbe. Duke e paraqitur situatën të tensionuar, Serbia po mundohet ta paraqesë Kosovën një vend të pasigurt dhe pa perspektivë, ku sidomos pakica etnike serbe është e rrezikuar. Natyrisht, ky dimension politik, që ndërlidhet edhe me reagimet masive në lidhje me ndalimin e Haradinajt, duhet të kihet parasysh nga autoritetet franceze, të cilat do të vendosin nëse do ta ekstradojnë ish-kryeministrin e Kosovës në Serbi, apo do ta lirojnë atë, për t'u kthyer në Kosovë.

Nuk është e rastësishme që në këtë moment, kur janë shtuar edhe presionet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kanë ndodhur edhe këto zhvillime. Politika kosovare e tregoi edhe në seancën e kësaj jave se nuk është në gjendje të ketë një qëndrim unik, kur është fjala për çështje të rëndësishme, por, si gjithmonë, duhet të pritet vendimi i ndërkombëtarëve. Kjo e bën Kosovën të varur edhe më tutje, derisa në pushtet të vijnë liderë të përgjegjshëm dhe të vendosur, që u shërbejnë qytetarëve.

(Kosova Sot)