Editoriali: Shkrehja e madhe e shtetit

  • 13 January 2017 - 17:07
Editoriali: Shkrehja e madhe e shtetit

Në këtë vend, llogaridhënia dalëngadalë po bëhet një fjalë e huaj. Askush nuk jep përgjegjësi për asgjë. Institucionet kanë hyrë në një periudhë kaotike, sepse në majë të tyre askush nuk e adreson përgjegjësinë për degradimin e jashtëzakonshëm që nuk ka të ndalur. Të gjithë e shohin se si shkon drejt falimentimit, ta zëmë, një kompani publike si PTK-ja, por zyrtarët kompetentë heshtin. Miliona e miliona po humbasin dhe prokuroria sodit këto skena mafioze. Në këtë kohë të acartë, vetëm ata që nuk kanë alternative ngrohjeje e dinë çka do të thotë të rrish me orë të tëra pa energji elektrike. Mosndërtimi i Termocentralit të ri dhe prishja e blloqeve të stërvjetruara e ka futur vendin në krizë duke e shtuar varësinë nga importi.

Askush nuk mban përgjegjësi për zvarritjen dhe dështimin e projekteve kapitale. Të shkosh në Brezovicë sheh vetëm improvizime, por jo investime serioze. Një Qeveri e korruptuar e ka të pamundur t'u hapë dyert investitorëve. Në çdo sektor ka ngecje, krizë, skandale. Secili është i vetëdijshëm se po u përplase në spitalet publike, më shumë sëmuresh sesa gjen shërim, por as këtu nuk lëshon zë njeri. Politika është bërë unike në heshtjen e madhe ndaj kësaj situate të rëndë, të pashpresë, ku e kanë futur vendin këta pushtetarë të papërmirësueshëm. Veprimet e vetme që i bëjnë qeveritarët dhe parlamentarët janë në drejtim të përmirësimit të standardit të tyre, rritjes së luksit, shtimit të mëditjeve, drekave e darkave me paratë e taksapaguesve.

Dallimi në të ardhurat mes shtresës së mesme, punëtorëve të sektorit publik dhe privat, me zyrtarët e lartë është i jashtëzakonshëm. Ndërkohë, puna që bëjnë deputetët, ministrat, shefat e ndryshëm është tepër e dobët, ndërsa askush nuk i jep llogari askujt për këtë dështim. Llogaridhënia për fat të keq mungon edhe në sistemin e drejtësisë, ku të politizuarit, të dobëtit, avancohen e shpërblehen me pozita. Kjo shkrehje e madhe e shtetit mund të na sjellë të këqija të paparashikueshme, nëse nuk ndalet sa nuk është bërë shumë vonë.

(Kosova Sot)