Editoriali: Trenin nuk ka kush ta ndalë

  • 14 January 2017 - 16:52
Editoriali: Trenin nuk ka kush ta ndalë

Këshilli i Sigurisë u mblodh dje, por nuk e lëshoi asnjë gjysmë fjale për zhvillimet e fundit rreth veriut të Kosovës, sidomos pas paralajmërimeve të Serbisë për incidente të mundshme, që ndërlidhen sipas zyrtarëve të këtij shteti, me ndalimin e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në Francë. Ndërkohë, alarmi që ka lëshuar kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, tregon se situata nuk është aspak e mirë. Qarkullimi i një treni nga Serbia, që sipas Autoritetit Kosovar të Hekurudhave, është i paligjshëm, sfidon edhe një herë sistemin ligjor, kushtetues të vendit tonë, ndërsa Qeveria është shumë e zbehtë në reagimin e saj. Këshilli i Sigurisë, që do të duhej ta adresonte këtë gjendje të tensionuar, në njoftimin për medie, as që e ka përmendur diku këtë rast. Si zakonisht, pushtetarët mundohen ta mbulojnë "diellin me shoshë", edhe pse secili qytetar i këtij vendi e kupton se çka po ndodh. Veriu mbetet jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare, ndërsa ekzekutivi i pafuqishëm për ta administruar situatën atje. Muri, treni, strukturat paralele, etj., janë ilustrim i refuzimit të shtetësisë dhe sfidës që po i bëhet nga Serbia sovranitetit të Republikës së Kosovës. Dorëzimin qeveritar e ka konfirmuar edhe vetë ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në një thirrje drejtuar Bashkimit Evropian, për ta ndalur trenin ilegal. Lutjet ndaj BE-së nuk kryejnë punë, por vetëm vendosmëria për ta shtrirë sundimin e ligjit në tërë territorin. Një gjë e tillë nuk është në agjendën e kësaj Qeverie, sepse kemi hyrë në gjysmën e dytë të mandatit të saj dhe as përafërsisht nuk ka ndonjë lëvizje përpara në drejtim të normalizimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës. Është e kotë të flasim për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, për sa kohë nuk kemi normalizim të situatës në veri. Si rrjedhojë, edhe treni, pavarësisht paligjshmërisë dhe ngarkesës që mund të mbajë, mund të qarkullojë lirshëm, në territorin, të cilit ata që duhet t'i dalin zot nuk e bëjnë dot një gjë të tillë. 

(Kosova Sot)