Editoriali: Formojeni FAK-un

  • 17 January 2017 - 17:10
Editoriali: Formojeni FAK-un

Tensionimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të veprimeve destruktive të Beogradit zyrtar, që mbështetet edhe nga Moska, në përpjekje të vazhdueshme për ta shtrirë ndikimin e vet në rajonin tonë, ka nxjerrë në pah domosdoshmërinë që ta kemi ushtrinë. Kokëçarjet e brendshme politike e kanë lënë vendin pa Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), ndërsa vota e dyfishtë e pakicës serbe është pengesa aktuale për transformimin e FSK-së. Lidershipi kosovar, i përkushtuar ndaj realizimit të interesave të ngushta pushtetore, biznesore, familjare, klanore, e neglizhoi themelimin e FAK-ut dhe si rrjedhojë, sot në kufi duhet të dërgojmë njësitë speciale të policisë. Politikanët, që marrin vendime në vendin tonë, duhet ta dinë se një shtet pa ushtri nuk është shtet i mirëfilltë.

Teknikisht, kriteret duket se janë plotësuar, edhe pse në rrafshin financiar ka pengesa dhe mungesa të mëdha. Por, për secilin qytetar të Republikës, paqja dhe siguria shihen ndryshe në rastin kur e kemi ushtrinë tonë, të gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Prezenca e KFOR-it është sigurisht një garanci e rëndësishme, por, megjithatë, nëse do ta kishim ushtrinë, ndryshe do të rridhnin edhe disa procese. Kosova duhet të sillet si shtet dhe ta mbrojë me dinjitet pavarësinë dhe kthimi mbrapsht i një treni mund të jetë një episode pozitiv, ndonëse historia nuk fillon as nuk mbaron këtu. Serbia e sfidon vazhdueshëm shtetësinë e Kosovës, duke shfrytëzuar herë Brukselin-rasti i murit në veri, herë Interpolin-ndalimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, herë Rusinë-treni shovinist, etj. Ndërkohë, prej 17 vjetësh Prishtina zyrtare nuk arrin dot të vendosë marrëdhënie reciprociteti, por gjithnjë tërhiqet, lëshon pe. Një herë pranon Pakon e Ahtisarit, pastaj vetë pranon hapjen e saj. Një herë bën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, pastaj mbërrin te shkelja e Kushtetutës me Asociacionin boznjëzues. Rishikimi i dialogut është emergjencë e kohës, por formimi i ushtrisë është i domosdoshëm. Një gjë e tillë do t'i jepte shtetit atributin e munguar dhe popullit siguri më shumë. 

(Kosova Sot)