Editoriali: A ju vjen marre?

  • 23 January 2017 - 17:05
Editoriali: A ju vjen marre?

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë shndërruar në "aristokracinë" e Republikës sonë të varfër. Jo rastësisht anëtarët e partive shtyhen me bërryla, luftojnë ashpër për të zënë një ulëse në Parlament. 120 deputetët kosovarë jo vetëm që marrin rroga disa herë më të mëdha se një rrogë mesatare, shumëfish më tepër se një pension, por kanë edhe bonuse të majme.

Edhe pse është puna që bëjnë, pjesëmarrja në seancat parlamentare, për dy të tilla gjatë muajit, përfaqësuesit e popullit përfitojnë edhe 240 euro. Vetëm për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, deputetët inkasojnë shtesa prej 160 eurosh. Në vendin tonë, me mbi 40 për qind papunësi dhe varfëri, me korrupsion dhe monopole, nepotizëm dhe shpërdorim të buxhetit, ku rroga mesatare shkon te treqind euro në muaj, ligjvënësit tejkalojnë dy mijë euro në muaj. Këtu hyjnë vetëm të ardhurat e rregullta, sepse përfitimet e tyre në saje të lidhjeve të ndryshme dhe ushtrimit të ndikimit, janë të gjithfarshme. Ironia e kësaj historie është se këta politikanë të pangopshëm në kurrizin e popullit jo vetëm që nuk po e shohin mundësinë t'i ulin këto pagesa të pamerituara dhe jologjike për rrethanat kosovar, por në bazë të Projektligjit të ri për pagat propozohet të rriten kompensimet për pjesëmarrje në seancë dhe komisione parlamentare për deputetët deri në 20 për qind të koeficientit të pagës bazë.

Deputetëve, shumica e të cilëve janë thjesht marioneta të liderëve, partive apo grupeve të interesit, nuk po u mjafton paga mesatare vjetore rreth 23 mijë euro, por duan ta zhvatin edhe më tepër këtë buxhet të taksapaguesve kosovarë. Kjo është e patolerueshme dhe fyese për qindra mijëra kosovarë, të lodhur nga keqqeverisja, nga zhvillimi i dobët ekonomik, varfëria e thellë dhe mungesa e perspektivës. Nëse ka ndonjë arsye të fortë për të protestuar kundër kësaj oligarkie të papërmirësueshme, është pikërisht hedhja në votim e një projektligji të tillë, të turpshëm. Këta deputetë po tregojnë se janë aty për xhepin e vet dhe jo për të përfaqësuar interesin publik. Si të tillë, nuk e meritojnë më votën!

(Kosova Sot)