Editoriali: Korrupsioni si mënyrë jetese

  • 26 January 2017 - 17:00
Editoriali: Korrupsioni si mënyrë jetese

Pushteti ka nxituar ta komentojë si sukses përparimin modest për disa vende më mirë në renditjen vjetore të organizatës "Transparency International" të Kosovës sa i përket nivelit të korrupsionit, duke harruar të përmendë faktin se sërish mbetemi vendi më i korruptuar në rajon. Në fakt, kjo nuk është vetëm çështje perceptimi, por ky është realiteti faktik, i hidhur dhe dëshpërues për qytetarët, të cilët në pjesën dërrmuese të tyre duket se e kanë humbur shpresën se do të bëhet më mirë në këtë vend. Askush nuk ka faj që demoralizohet nga kjo qeverisje dhe errësimi i perspektivës nga garnitura që i prin korrupsionit dhe abuzimit, monopoleve dhe nepotizmit, padrejtësive dhe shkeljeve. Në një vend ky gjyqtarët marrin mitë, prokurorët amnistojnë të korruptuarit, avokatët shesin lëndët, çfarë drejtësie mund të ketë?! Në një shtet ku për të marrë një tender duhet t'ia mbushësh xhepin zyrtarit të lartë, partisë, klanit kriminal, çfarë ligjshmërie mund të konsiderohet kjo?! Në një Republikë, ku të preferuarit e oligarkëve mbajnë monopole, ku gjithçka kurdiset në kulisat kriminale, e si mund të mbijetojë biznesi i ndershëm aty? Kosova vërtet është një vend i pasur me resurse natyrore, pasuri minerare, por vetëm një grusht njerëzish në pushtet dhe përreth tij po përfitojnë në mënyrë të paligjshme, duke shfrytëzuar asetet dhe pozitat shtetërore. Sundimi autoritar po bëhet karakteristikë edhe e Kosovës, duke ndjekur shembujt e këqij rajonalë, si rasti i Gruevskit në Maqedoni apo edhe ata më të largët, siç është regjimi i Putinit në Rusi. Demokracia është në rrezik, ndërsa ekonomia ka ngecur keq. Si rrjedhojë, korrupsioni është shndërruar në mënyrë jetese për një pjesë alarmante të njerëzve, që nuk dinë nga t'ia mbajnë, por thjesht i përshtaten kushteve kriminale në të cilat zhvillohet jeta në Kosovë. Një vend pune, një projekt, një tender, një operacion, një notë provimi, një vend në Akademi, një çmim në festival….Gjithçka me favore. Me pak fjalë, mburrjet qeveritare janë tepër ironike, sepse me këtë drejtësi të mbaruar, korrupsioni do të lulëzojë edhe për një kohë të gjatë.

(Kosova Sot)