Editoriali: Zhvendosja dramatike e vëmendjes

  • 27 January 2017 - 16:59
Editoriali: Zhvendosja dramatike e vëmendjes

Treni rus drejt veriut, thirrjet luftarake të liderëve, paralajmërimet e analistëve të sigurisë, polemikat e pafund në medie, rrjete sociale, e kanë rikthyer me shpejtësi ndjenjën e pasigurisë edhe në mesin e qytetarëve të Kosovës. Të izoluar nga bota, të lënë nën sundimin autoritar të një grupi politikanësh të dështuar në qeverisje, por të suksesshëm në zhvatje, njerëzit në këtë vend nuk kanë nga t'ia mbajnë, sido që të vijë puna. Mijëra ia kanë mësyrë dyerve të Perëndimit të trazuar, e plot të tjerë me një këmbë janë te stacioni i autobusëve, të gatshëm për ta braktisur Republikën e degraduar e të pashpresë aktualisht.

Qindra të tjerë kanë përfunduar në luftërat e Lindjes, duke ngjyer kafshatën me grupet terroriste, për ta njollosur imazhin e shtetit me ngjyrat ekstremiste dhe radikaliste. Të lodhur nga përditshmëria e mërzitshme, refrenet bajate të pushtetarëve, një qeverisje nën çdo nivel e parlamentarizëm banal e i papërgjegjshëm, popullata jonë tash gjendet në udhëkryq. Ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi, siç ndodh zakonisht në momentin kur pushteti përfshihet nga kriza, dështimet ekonomike, aferat korruptive dhe befasisht, vëmendja është zhvendosur krejtësisht.

Mjafton të shohësh disa minuta programet informative të mbrëmjes në TV-të tona dhe e kupton se askush nuk merret më me temat që janë shqetësuese për qytetarët. (B)analistët japin mend për SHBA-në, Rusinë, Trump-in, Putinin, BE-në, Brexit-in, dialogun me Serbinë, veriun, bashkimin kombëtar, pazarin me territoret….E, kështu, pa fund është lista globale e temave që bombardojnë opinionin publik, ndërsa për gjërat që na brengosin, për të cilat kanë përgjegjësi institucionet, organizatat, shoqëria, flitet fare pak ose mundësisht, aspak. Kjo skemë propaganduese, që krijon huti e përhap pasiguri, i konvenon oligarkisë në pushtet, por edhe asaj të biznesit, e lidhur ngushtë me qeveritarët e inkriminuar. Sa më tepër zgjat ky kaos, kjo turbullirë, aq më të mëdha janë fitimet e tyre, në kurrizin e popullit të Kosovës. Kapja e shtetit është kaq e thellë, saqë edhe vëmendje publike dirigjohet siç e duan atasundimtarët e Republikës.

(Kosova Sot)