Editoriali: Dorëheqja

  • 28 January 2017 - 16:48
Editoriali: Dorëheqja

Kreu i Agjencisë për Inteligjencë befasisht ka dhënë dorëheqje, dy vjet pas emërimit të tij në këtë pozitë të rëndësishme për sigurinë kombëtare. Kjo dorëheqje ndodh në një kohë, kur tensionet me Serbinë janë rritur, ndërsa pasiguria ka filluar të shtohet në radhët e qytetarëve tanë. Disa medie nxituan të raportojnë se dorëheqja lidhet me situatën në veri, trenin rus dhe dështimin eventual të Agron Selimajt, për të siguruar informata në lidhje me këto zhvillime. Por, përtej spekulimeve, ajo që shihet qartë është një paqëndrueshmëri e institucioneve kosovare, veçmas të atyre të sigurisë për t'u ballafaquar me situata të reja, të vështira gjatë javëve e muajve të ardhshëm. Kriza politike ka ndikuar edhe në aspektin e sigurisë, duke shkaktuar ngecje në këtë sektor të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në vend.

Mënyra se si funksionojnë mekanizmat shtetërorë lë shumë për të dëshiruar, sidomos kur është fjala tek Agjencia e Inteligjencës apo organizatat e tjera që kryejnë punë në këtë sferë. Qytetarët e kanë të vështirë t'u zënë besë institucioneve të sigurisë, edhe kur janë ligjore dhe kanë një strukturë kontrollimi, i japin llogari dikujt e kanë mbikëqyrje shtetërore. Në Republikën tonë, ku qoftë AKI-ja, policia, gjykatat, prokuroria, etj., konsiderohen si të kapura prej oligarkëve të pushtetit dhe klaneve të fuqishme, asgjë nuk ndodh rastësisht. As dorëheqja e konfirmuar dje nuk duket të jetë e tillë. Ajo që vërehet çdo ditë e më shumë është përpjekja, deri tash, e suksesshme e liderëve autoritarë të Kosovës për të kontrolluar çdo gjë, sidomos në pikat kyçe.

(Kosova Sot)