Editoriali: Dialogu nuk po na nxjerr nga izolimi

  • 31 January 2017 - 17:08
Editoriali: Dialogu nuk po na nxjerr nga izolimi

Politika zyrtare e Kosovës është treguar bujare dhe racionale ndaj Brukselit, duke iu përshtatur agjendës së dialogut me Serbinë e si rrjedhojë, duke pranuar kompromis pas kompromisi. Këtij procesi i kanë shërbyer devotshëm zyrtarët e lartë kosovarë, të cilët, për të dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj bisedimeve dhe gatishmërinë që të marrin vendime të vështira, nuk kanë ngurruar të firmosin gjithfarë marrëveshjesh, dokumentesh deri te Asociacioni famëkeq.

Ndërkohë, politikanë të Evropës, si europarlamentarja Ulrike Lunaçek, po përpiqen ta inkurajojnë shtetin tonë, se në fund të dialogut do të vijë edhe njohja nga Serbia. Ky do të ishte rezultati më i mirë, por ecuria e deritashme tregon të kundërtën dhe nuk lë shpresë se do të vijë së shpejti një moment i tillë. Pavarësisht entuziazmit deklarativ të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, telashet tona janë të mëdha, duke filluar nga lëvizja në kufirin me Serbinë e deri te pasiguria, për shkak të aktivizimit të fletarrestimeve serbe në Interpol. Edhe pse ka disa vjet që në Bruksel negociatorët e të dy vendeve flasin me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për Kosovën nuk ka ndonjë lëvizje përpara.

Vendi mbetet i zhytur në izolim, në pamundësi të përfitojë as liberalizimin e vizave, duke qenë i vetmi shtet në rajon që është edhe më tutje i bllokuar në këtë drejtim. Nëse Demarkacioni me Malin e Zi, siç e ritheksoi kryeministri, si kriter për vizat do ta shtyjë liberalizimin, mund ta parashikojmë lehtë se çka do të ngjajë kur të nisë demarkacioni me Serbinë. Po qe se është kusht në rastin e Malit të Zi, me Serbinë gjithsesi do të mbetet një kriter i tillë, sepse edhe vetë europarlamentarja Lunaçek e ka përmendur se BE-ja nuk pranon në gjirin e saj si rasti i Qipros, me kufi të padefinuar. Rrjedha e tillë e negociatave, duke mbajtur në izolim Kosovën, nuk i shërben paqes dhe stabilitetit, por shton frustrimin në radhët e kosovarëve, të cilët, të gjendur nën një sundim qeveritar autokrat e korruptiv, janë gati të pashpresë për të tashmen dhe të ardhmen e vet

(Kosova Sot)