Editoriali: Frika nga ligjet

  • 01 February 2017 - 17:03
Editoriali: Frika nga ligjet

Edhe pse konsiderohen si "të fortët" e Kosovës, edhe ata i tremben ligjit. Jorastësisht po bllokohen nisma të rëndësishme ligjore, si ligji antimafia i 'Vettingut’, dhe ai i dekriminalizimit. Në Shqipëri, në sistemin e drejtësisë, kanë filluar dorëheqjet e para, për t'iu shmangur reformës që i detyron gjyqtarët e prokurorët të zbardhin xhepat. Me pagat e tyre mesatare, asnjëri nuk mund të ketë vila luksoze e vetura të shtrenjta, miliona në banka e patundshmëri të pafundme. Rasti është tepër i ngjashëm me Kosovën. Pushteti sjell shumë para, por përmes abuzimit të pozitës. Trekëndëshi politikë-institucione-mafia ende është tepër funksional dhe, si rrjedhojë, çdo tentativë ligjore për të luftuar njëmend korrupsionin, konfliktin e interesit, zhvatjen, dështon që në fillim. Oligarkët duan t'i mbajnë nën kontroll prokurorët e gjyqtarët, që i kanë emëruar vetë, i kanë rritur në pozita drejtuese.

Prandaj, aktualisht, me këtë garniturë politike në pushtet nuk do të ketë kurrfarë ligji të 'Vetting'-ut, dekriminalizimit, antimafisë, sepse atyre nuk u intereson të largojnë nga puna vartësit e tyre, që parashkruajnë lëndë, sajojnë procese shantazhuese, amnistojnë banditët e veshur me pushtet. Në një vend normal, me demokraci të zhvilluar, zbatimi i ligjit as që do të duhej të diskutohej. Por, në vendin tonë, ligjin e bëjnë ata, sunduesit, si të duan, si t'u konvenojë. Pastaj e shkelin sa herë të duan dhe kur e shohin se u dalin telashe rrugës, iniciojnë amendamentime në Kuvendin e nënshtruar.

Ligjbërja dhe zbatimi i legjislacionit në Kosovë janë krejtësisht të dështuara me këtë vetëdije të ulët shtetformuese, ku shumica duan të zhvatin ndonjë copë të shtetit dhe jo të mendojnë si të hedhin edhe një tullë më shumë për forcimin e shtetësisë. Pa iu nënshtruar ligjit, një ligji të qartë dhe të ashpër për keqbërësit, të korruptuarit, nuk mund të shpresojmë ndonjëherë se ky vend do të bëhet ashtu siç kemi shpresuar para ca vitesh. Sot, shpresa është zbehur, sepse mungojnë edhe alternativat dalëse nga kjo krizë. Por, pa sundim ligji nuk do të hedhim as një hap përpara. 

(Kosova Sot)