Editoriali: KFOR-i, garanci për paqen

  • 04 February 2017 - 17:05
Editoriali: KFOR-i, garanci për paqen

Vizita e djeshme e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, është mesazh i qartë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Siguria e Ballkanit është shumë e rëndësishme për NATO-n, andaj KFOR-i do të vazhdojë misionin e vet në Kosovë. 4500 ushtarët e Aleancës Veriatlantike mund të duket se nuk janë duke bërë diçka të rëndë- sishme aktualisht, por prezenca e tyre është e domosdoshme për të garantuar ruajtjen e paqes. Zhvillimet në veriun e Kosovës, retorika e ashpërsuar Prishtinë- Beograd, kanë nxitur tensione të reja, që mund të dëmtojnë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve. Kur vendi gjendet në rrethana të tilla, del në pah vlera e pazëvendësueshme, që kanë trupat paqeruajtëse të Aleancës. Deri në konsolidimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, prania e KFOR-it mbetet jetike për shtetin tonë. Siç e pohoi edhe kryeministri, pengesa është nga pakica serbe, e cila nën dirigjimin e Serbisë vepron pa u penguar nga askush.

Bllokimi i FAK-ut e dëmton përpjekjen e institucioneve për të themeluar Ushtrinë e Kosovës, e cila do t'i kishte atributet e një ushtrie që nesër do të jetë pjesë e NATO-s. Edhe shefi i NATO-s e bëri të qartë se kjo tashmë është çështje e institucioneve kosovare. Përderisa në Bruksel negociohet tashmë në nivele edhe më të larta shtetërore, themelimi i Ushtrisë duhet të jetë pjesë e bisedave, për të kërkuar heqjen dorë nga ndikimi te Lista Serbe. Kosova nuk duhet të lejojë që Beogradi të vendosë se kur do të krijohet Ushtria jonë. Pa themelimin e FAK-ut, duhet të theksohet se shtetësisë sonë i mungon një atribut i rëndësishëm.

Ushtria, si e tillë, do të shndërrohej në një faktor të menjëhershëm stabiliteti, paqeje dhe sigurie. Edhe vetë serbëve duhet t'u interesojë një partneritet me shtetin, me institucionet, sepse kështu, edhe siguria e tyre do të jetë më e madhe. Vizita e shefit të NATO-s në Prishtinë dëshmon mbështetjen serioze të Aleancës për sigurinë në Kosovë dhe kjo duhet t'i qetësojë edhe serbët e trazuar për murin, etj.

(Kosova Sot)