Editoriali: Ne nuk jemi si rumunët

  • 06 February 2017 - 17:02
Editoriali: Ne nuk jemi si rumunët

Mbi 300 mijë protestues e kanë detyruar pushtetin në Rumani të tërhiqet nga një vendim që amnistonte të korruptuarit në këtë vend. Ja një shembull i mirë, që mund të ndiqet nga vende si Kosova, që kanë probleme të rënda me korrupsionin. Sipas 'Transparency International', Republika e Kosovës është shteti me korrupsionin më të lartë në rajon. Në mungesë të një qeverisjeje të përgjegjshme dhe në rrethanat e një drejtësie joefikase, të inkriminuar e pa kurajë, aferat korruptive zakonisht mbesin të pandëshkuara ose edhe kur shqiptohen dënime nga gjykatat, ato janë tepër modeste. Milionat avullojnë e zyrtarët e korruptuar shpëtojnë.

Eventualisht mund ta pësojë ndokush për mitë disa euro, kurse ata që kurdisin, ta zëmë tenderët shumëmilionësh, nuk përballen kurrë me drejtësinë. Të pashpresë për veprimin e institucioneve, qytetarëve nuk u kanë mbetur shumë alternativa dalëse nga qorrsokaku i korrupsionit. Po të ndiqet reagimi rumun, rezultatet mund të vinin. Por, edhe kur janë thirrur protesta kundër korrupsionit, dhjetëra ose qindra njerëz janë mbledhur në shesh e jo më tepër. Është e qartë për të gjithë se në momentin kur korrupsioni shndërrohet në mënyrë jetese, vështirë të gjesh solidaritet për të protestuar.

Zakonisht, për të fituar një punë, për të marrë një tender, projekt, për të regjistruar në fakultet dikë etj., gjithnjë të duhen lidhjet korruptive. Po s'i pate, dështon. Prandaj, përveç klasës politike, të korruptuar gjer në palcë, edhe shoqëria është molisur, katandisur si mos më keq, nga kjo garniturë sundimtarësh që po e rrënojnë të ardhmen e Republikës. Sidoqoftë, është mirë të nxjerrim mësim nga rumunët. Qeveria socialdemokrate rumune formalisht e ka pezulluar një dekret emergjent që disa vepra korrupsioni nuk i konsideronte më si vepra penale. Vendimi u mor pas protestave masive që për gati një javë u mbajtën në tërë Rumaninë. Dekreti qeveritar do të mbronte dhjetëra politikanë të dënuar apo hetuar për korrupsion. Sa vendime e ligje të ngjashme nxjerr pushteti në Kosovë dhe askush nuk reagon!

(Kosova Sot)