Editoriali: Kalvari për një leje ndërtimi

  • 07 February 2017 - 17:08
Editoriali: Kalvari për një leje ndërtimi

Kur i sheh Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës nuk mund të zhgënjehesh, sepse janë të përfshira parimet dhe garancitë, barazia dhe të drejtat, për secilin. Por, nga ajo që është shkruar në letër e deri te zbatimi në praktikë, është një hendek që sa vjen e bëhet më i thellë, sipas thënies: "nga e shkruara në të bërë, është në mes një det i tërë". Kur është fjala te sipërmarrja private, tregu i lirë, që nënkupton mundësi për të gjithë, është i garantuar, konkurrenca e ndershme, që nënkupton se sipërmarrësit do t'i nënshtrohen njësoj ligjit, është gjithashtu e siguruar me legjislacionin në fuqi. Por, kur përplasesh në zyrat shtetërore, atëherë bindesh se çfarë dallimi të madh ka mes ligjit e Kushtetutës dhe praktikës së pushtetit të inkriminuar. Nuk është e rastësishme, që për të marrë një leje ndërtimi duhet të kapërcesh një mori pengesash, nëse gjithnjë do të arrish të kesh sukses. Kuptohet, pengesa kryesore janë ata që në zhargonin korruptiv njihen si sekserët, të cilët të shfaqen në çdo hap, para secilit investitor. Ata janë gjithnjë në gatishmëri për të marrë e për të shpërndarë më pas tallin te urdhërdhënësit, pushtetmbajtësit, të inkriminuarit. Prishtina vazhdon të prijë me vështirësitë e jashtëzakonshme e të pashembullta, që ua nxjerr bizneseve investuese në planet e tyre investive, që kërkojnë edhe sigurimin e lejes ndërtimore. Bllokada dhe zvarritjet e dhënies së lejeve e godasin zhvillimin ekonomik me disa qindra miliona euro çdo vit, sepse shtyhet hapja e dhjetëra-mijëra vendeve të reja të punës, zbehet tërheqja e investimeve dhe dobësohet biznesi i qëndrueshëm dhe mirëqenia e qytetarëve. Por, komunarët e pandreqshëm e të inkriminuar, që nga kryeqendra e Prishtinës deri te komuna më e vogël, nuk është se mërziten shumë për këtë gjë. Mes tyre dhe pushtetit qendror, sikur ka një marrëveshje të pashkruar, së cilës i përmbahen gjithmonë. Të gjithë kanë interesat e tyre, përfitimet personale, përmes rrugëve, kuptohet,puro korruptive. Nëse do të ishte në pyetje ndonjë farë urbanizmi, arkitekture, atëherë të paktën Kosova sot do të dukej më bukur, më me rregull, më me shije, por, fatkeqësisht, të vetmet vende që ia vlen t'i vizitosh janë ato ku nuk ka prekur dora e njeriut të korruptuar. Odisejada për një leje ndërtimi do të vazhdojë, për sa kohë skema mafio-politikokorruptive dirigjon e përcakton gjithçka nga nëntoka kriminale, ndërkohë që Prokuroria Speciale (PSRK) bën gjumin e qetë në Pallatin e "drejtësisë" duke soditur në distancë korrupsionin dhe krimin e organizuar, jo vetëm në kryeqendrën kosovare.

(Kosova Sot)