Editoriali: Pushtetarët si pashallarët

  • 08 February 2017 - 17:02
Editoriali: Pushtetarët si pashallarët

Ata e shohin shtetin si plaçkë. E zhvatin deri në palcë, pastaj e hedhin, si leckë. Atyre nuk u intereson fati i qytetarit, e ardhmja e Republikës, por vetëm xhepi i tyre, i miqve, klaneve, oligarkëve. Ky rreth vicioz, ku zihet gjithçka për Kosovën, ku luhen prapaskenat kriminale, ndahet 'talli', është fatkeqësia e popullit tonë. Një hendek i thellë është krijuar mes pushtetmbajtësve dhe shoqërisë. Ata paguhen më mirë se kudo tjetër, edhe pse jemi vendi më i varfër dhe i prapambetur në Evropë. Pagat e tyre janë disafish më të larta se një rrogë mësuesi, mjeku, polici, zjarrfikësi, nëpunësi…

Por, asgjë nuk janë pagat, çka janë të ardhurat e qeveritarëve dhe parlamentarëve, të cilët vendosin për fatin tonë, për buxhetin, tenderët, shërbimet, arsimin, shëndetësinë, kulturën, sportin…Jeta e tyre është luks e shkuar luksit. Ata jetojnë në shtëpi qindramijëra eurosh, kanë vetura që do t'ua kishin zili edhe homologët e tyre evropianë, bëjnë pushime në vlera marramendëse, ndërsa fëmijët i shkollojnë në kolegje që kushtojnë të paktën 4-5 mijë euro viti. E pra, kjo kosto jetese, do të duhej ta kishte një shpjegim nga organet e drejtësisë. Por, nuk është se këto të fundit janë më keq në këtë drejtim. Edhe këta të fundit mundohen sadopak të jenë pjesë e këtij "biznesi" që po lulëzon në Republikën e Kosovës. Nuk janë të paktë ata që ndajnë drejtësinë, e që xhepat i kanë mbushur sa s'dinë ku t'i lënë paratë.

Një 'Vetting' si në Shqipëri do t'u bënte mirë, por pushteti refuzon çdo nismë që cenon luksin e tyre. Qytetarët duhet ta kuptojnë se me këtë garniturë, me këtë klasë të inkriminuar politike, pozitë e opozitë, vështirë se do të dalim nga izolimi, zor se do të shkëputemi nga skamja, vonë do ta prekim vërtet BE-në. Ata po na zhvatin sa po munden, e fatkeqësisht, të lodhur e të dërrmuar nga mashtrimet, shoqëria është topitur dhe nuk po gjen forca të reagojë. Pa reaguar ashpër, ky degradim nuk do të ndalet. 

(Kosova Sot)