Shpend, trego shantazhuesit e vërtetë që po ta mbushin gushën!

  • 09 February 2017 - 17:08
Shpend, trego shantazhuesit e vërtetë që po ta mbushin gushën!

Kryetari i Prishtinës, më në fund, është detyruar të dalë me një reagim, por krejtësisht të pavend, duke akuzuar gazetën "Kosova Sot" se gjoja po e shantazhon për një leje ndërtimi. Shpend Ahmetin me siguri dikush e mban në presion, sepse ndryshe vetë ai do ta zbatonte ligjin, do t'i përfillte vendimet e plotfuqishme zyrtare të shkallës së dytë siprore në procedurë administrative, të cilat i zhvleftësojnë vendimet e kundërligjshme e kundërkushtetuese të komunarëve të tij të inkriminuar, kundër zhvillimit të investimeve zhvillimore të sipërmarrjes së lirë private, edhe atë në pronë private! Por, për ishaktivistin e shoqërisë civile, i katapultuar së pari në FER, pastaj i "radikalizuar" në "Vetëvendosje", nuk vlejnë as ligjet dhe as faktet si argumente të vërteta. Nuk vlejnë as ligji e Kushtetuta e vendit , as Konventa evropiane e të drejtave dhe lirive të njeriut, të cilat pa hezitim për tri vite rresht po i shkel me të dyja këmbët. Prandaj, atë dhe shokët e tij i pret ballafaqimi tepër i rëndë me drejtësinë. Veprimet e Shpendit po dëshmojnë dita-ditës se ai është aty për të realizuar interesa personale, puro partiake, dhe sidomos për përfitime korruptive. Nuk është më kurrfarë sekreti se politikani i ri i papjekur fare, që për shumë vite sponsorohet e mbështetet nga mafio-oligarkët 'Devolli', qartazi shihet se është në kthetrat e klanit "Pronto". Sigurisht me dëshirën e tij. Lakmia është e madhe kur je në pushtet, sepse një rrogë komunari s'mjafton as për një shoping. Por, kryetari i Prishtinës, që përpiqet ta zhvendosë vëmendjen prej shkeljeve të tij ligjore te gazeta dhe puna e saj ditore, si medie e lirë dhe e pavarur, e cila raporton për shkeljet e çdo zyrtari apo udhëheqësi pa dallim, duhet ta dijë se mund t'i shpëtojë vetëm përkohësisht ligjit, megjithatë dita e përballjes do të vijë edhe për të, bile shumë më shpejt se që mendon ai. Shpend Ahmeti nuk mund t'u hedhë hi syve qytetarëve të Prishtinës, sepse të gjithë po e shohin se çfarë ka gatuar ai me pushtetarët e inkriminuar të kryeqytetit në fund të mandatit. Shpendi, duke i shkelur ligjin e Kushtetutën, për llogari të nëntokës kriminale të Prishtinës dhe jo vetëm, po bllokon një investim tepër serioz, 80 milionësh, një sipërmarrje krejtë- sisht private, në pronën e saj private, apolitike dhe joklanore, për të favorizuar mafio-politikanët dhe mafio-oligarkët e inkriminuar që e rrethojnë për më shumë se tre vjet, ndaj të cilëve, kuptohet, ka obligime të inkriminuara. Urdhërdhënësit që ia mbushin gushën Shpendit&CO janë shantazhuesit e vërtetë të tij dhe jo gazeta e as themeluesi i saj, por ai s'guxon ta pranojë publikisht këtë, sepse ky do të ishte edhe fundi i tij, apo kujtdo tjetër që shkel ligjet. Këtë ia përcakton ligji dhe jo gazeta. 

(Kosova Sot)