Editoriali: Politika, ky biznes i pistë që po e rrënon Republikën

  • 10 February 2017 - 17:08
Editoriali: Politika, ky biznes i pistë që po e rrënon Republikën

Para se të vijnë në pushtet të mbushin me gjithfarë premtimesh, edhe pse e dinë se janë thjesht gënjeshtra e mashtrime elektorale, por kur marrin frerët e pushtetit, s'ka asgjë që i ndal në babëzinë e tyre kriminale për të zhvatur. Këtë e bëjnë tash të sofistikuar, sepse janë mësuar si t'i mbulojnë e t'i mashtrojnë me letra krimet ekonomike, tenderët e dyshimtë, kontratat korruptive, emërimet nepotike dhe militante. Fatkeqësia më e madhe e këtij vendi është se edhe aty ku kishte një fije shprese, se mund të vijë ndryshimi, si në rastin e Prishtinës, pritjet nuk u përmbushen as përafërsisht, përkundrazi.

Shume shpejt, edhe pushtetarët e rinj bëhen pjesë e së njëjtës çorbë, ku pushtetarët e rinj shtyhen se kush do të hajë e të mbushë gushën më shumë. Ata tani nuk kanë asnjëherë të ngopur, sepse e mira publike e shtetit, prona, paraja e taksapaguesve është si i thonë "pa dhimtë"hiq. Atë që politika e bëri në nivel nacional, përmes privatizimit të dyshimtë të pronës shoqërore, e ndjek me besnikëri e interes korruptiv edhe niveli tjetër lokal. Ku u del biznesi, japin toka, asete, fonde. Me rëndësi është mbushja e xhepave, e kontove bankare, sepse e dinë se rasti nuk mund të përsëritet. Në lojëra të ndyra, pra, hyjnë të gjithë, Qeveria, komuna, gjykata, prokuroria, mediet vasale e mercenare, që bëjnë mashtrimin e shpëlarjen e trurit të qytetarëve.

Ata që e pësojnë më së rëndi, përveç njerëzve që me mund e djersë mbijetojnë në Kosovën e shkatërruar, janë sipërmarrësit e lirë dhe të ndershëm privatë, që ia paguajnë të gjitha detyrimet shtetit deri në centin e fundit. Pak rëndësi ka kjo. Nëse nuk je pjesë e zinxhirit kriminal, je gjithnjë i bllokuar në çdo hap të ligjshëm që ndërmerr. Edhe nëse institucionet, të detyruara ta zbatojnë ligjin, të japin të drejtë, bllokuesit anarkikë as që pyesin për vendimet juridike e ligjore . Pushtetmbajtësit në Kosovë dhe në kryeqytet janë të egër, mashtrues e gënjeshtarë, të pamëshirshëm dhe u shërbejnë vetëm mafio-oligarkëve të politikës e biznesit të pistë. Kjo bashkëjetesë e tejinkriminuar është duke e kalbur shtetin. Kjo politikë po na çon drejt qorrsokakut dhe këtë e dinë fare mirë edhe autorët e mbështetësit e këtij degradimi e shkatërrimi të shtetit ligjor e demokratik.

(Kosova Sot)