Editoriali: Ushtria - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Ushtria

Editoriali: Ushtria

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e qartëson forcën e votës së dyfishtë të pakicës serbe, pa të cilën nuk mund ta kalojë asnjë ndryshim, pavarësisht qëllimit dhe rëndësisë, emergjencës nacionale dhe rrethanave të sigurisë. Debati i djeshëm parlamentar për themelimin e Ushtrisë së Kosovës nxori në pah faktin se vendi ynë nuk mund të ketë ushtri, nëse nuk ndryshohet Kushtetuta. Më herët kanë qarkulluar disa ide se vetëm përmes ligjit, mund të arrihen ndryshimet juridike, për të legalizuar FAK-un, por kryeministri e bëri të ditur se një formë e tillë nuk e gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Pa NATO-n, BE-në dhe SHBA-në nuk mund të hedhim asnjë hap në këtë drejtim. Pra, e thënë në mënyrë direkte, Forcat e Armatosura të Kosovës sot janë në duart e Listës Serbe. Kjo e fundit, dihet, është nën diktatin e Beogradit. Ja, ku e ka sjellë Kosovën politika miope, që kanë ndjekur qeveritë e njëpasnjëshme në vendin tonë. Refuzimi i ftesave të bëra nga Ministria e FSK-së dëshmon se nuk ka kurrfarë gatishmërie të serbëve, për ta zhbllokuar procesin. Natyrisht që pakica serbe, pa e realizuar synimin e saj kryesor që është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk pritet që të japë votën e saj për të kaluar amendamentet kushtetuese, të cilat i hapin rrugën themelimit të ushtrisë së Kosovës.

Qeveria do të jetë e detyruar të bëjë sërish kompromise me palën serbe, por më mirë është që spektri politik shqiptar të gjejë një konsensus të gjerë, për ta trajtuar këtë temë të rëndësishme. Ushtria nuk bëhet as për një parti, as për një individ, por është ushtri e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, është ushtri e shqiptarëve, e serbëve, turqve, boshnjakëve, komunitetit RAE. Duhet të nisë sa më parë dialogu, për të zhbllokuar procesin dhe të ketë sa më tepër transparencë. Për t'u bërë shtet tamam, ushtria është e domosdoshme. 

(Kosova Sot)

23 orë e 32 minuta më parë