Edioriali: Republika, në shërbim të oligarkëve

  • 18 February 2017 - 17:09
Edioriali: Republika, në shërbim të oligarkëve

Nuk kishte përvjetor më të zbehtë se ky i nënti dhe këtë fakt s'mund ta mohojë askush. Natyrisht, askush që e do shtetin, nuk do të dëshironte që shija e Ditës së Pavarësisë të jetë e tillë, e hidhur. Ka një arsye të fortë për shumicën e qytetarëve të këtij vendi të mos ndihen rehat në Republikën, që ende nuk është e tyrja, sepse është e politikanëve që e kanë kapur. Institucionet janë shkrehur si kurrë më parë dhe zyrtarët shkojnë aty sa për të marrë një rrogë, për të bërë dallavere, por jo për të punuar në forcimin e shtetësisë. Njerëzit janë dhënë pas përfitimeve personale, të paligjshme, përmes rrugëve korruptive, sepse regjimi ka krijuar kushte të favorshme për lulëzimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Jeta është vështirësuar në çdo aspekt dhe ajo që është frikësuese, ka të bëjë me rritjen e pasigurisë.

Konsolidimi i pushtetarëve të njëjtë në pozitat drejtuese të shtetit nuk jep shpresë se do të ketë ndryshim. Partitë janë privatizuar nga liderët e tyre dhe në vend se të shndërrohen në organizata frymëzuese për zhvillim dhe demokratizim, janë bërë korporata të dyshimta biznesi. Thuajse asgjë nuk funksionon si duhet në Republikën tonë, nëntë vjet të pavarur. Sistemi i drejtësisë vetëm emrin e ka të tillë, sepse ai prodhon më së shumti padrejtësi. Nëse nuk ke krah të fortë, do të shkojë jeta duke bredhur në sallat e gjykatave e në fund, veç drejtësi nuk do të marrësh, sepse standardet janë të dyfishta. Për të fortët ka procese të shpejta dhe liruese nga aktakuzat, kurse për njerëzit e thjeshtë, të pambrojtur, trekëndëshi kriminal e korruptiv prokuror-avokat-gjyqtar është i papërballueshëm. Republika, që kemi krijuar më 17 shkurt 2008, ishte e dizajnuar për qytetarin e Kosovës, por Republika e 17 shkurtit 2017 është në shërbim të oligarkëve të Kosovës. Qytetarët janë të shkelur e të nëpërkëmbur dhe, me gjasë, kështu do të jetë deri sa do t'u soset një ditë durimi!

(Kosova Sot)