Le të sillemi si shtet…

  • 21 February 2017 - 17:03
Le të sillemi si shtet…

Presioni për Demarkacionin po rritet, ndërsa gjithnjë e më shumë po devalvohet puna e një Komisioni shtetëror të ngritur nga Qeveria, që të masë territorin e Republikës. Dorëheqja e djeshme e një gjeografi nga ky Komision dhe akuzat e tij publike ndaj parregullsive që janë shfaqur gjatë punës, e godasin sërish këtë proces kamuflimi qeveritar. Në fakt, ekzekutivi vazhdimisht ka preferuar të ndjekë zgjidhje të njëanshme, duke mbytur zërat kritikë dhe duke bllokuar argumentuesit kundër Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, por duket se kjo rrugë nuk mund të çojë askund. Është tepër e çuditshme se nga vjen tërë ky zell qeveritar, për të kaluar një marrëveshje, e cila dyshohet me bazë se mund ta dëmtojë territorialisht Republikën e Kosovës. Loja që bëhet në anën tjetër me kushtëzimin për liberalizimin e vizave është tepër e paskrupullt. Asnjë vend në rajon nuk është kushtëzuar me demarkacionin. Mund ta imagjinojmë se kur do të na i heqin vizat, nëse një kusht i tillë do të vendosej me Serbinë, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është e qartë se do ta zvarrisë pafundësisht një demarkim të vijës kufitare ndërshtetërore. Kosova ka nevojë të dalë nga izolimi, por jo duke u shantazhuar dhe duke u kushtëzuar. Vetë pushtetarët do të duhej ta adresonin nevojën për të përfituar liberalizimin e vizave jo si kusht, por si një të drejtë të qytetarëve tanë për të lëvizur. Duke e shtuar presionin mbi vendin tonë, politikës sonë dhe qytetarëve po u dërgohet një mesazh i gabuar, se edhe kur mund të kenë argument të forta për tema të caktuara, nuk bën të këmbëngulin, sepse kështu thonë ndërkombëtarët. Është koha kur kosovarët do të duhej ta merrnin fatin e shteti të tyre në duart e veta. Jo vetëm kur është fjala për Demarkacionin me Malin e Zi, por edhe për Asociacionin, për dialogun me Serbinë e plot çështje të tjera, përfaqë- suesit tanë shtetërorë duhet të veprojnë me vetëdije të lartë e kurajë, pa shkelur mbi interesat nacionale. Duhet të sillemi si shtet, që të na trajtojnë si të tillë.

(Kosova Sot)