Errësimi i perspektivës

  • 23 February 2017 - 17:02
Errësimi i perspektivës

Qeveria jonë vazhdimisht mburret për suksese të shumta, por sa i përket nivelit të korrupsionit, në të gjitha raportet, mbetemi vendi më i korruptuar në rajon. Në fakt, kjo nuk është vetëm çështje perceptimi, por ky është realiteti faktik, i hidhur dhe dëshpërues për qytetarët, të cilët në pjesën dërrmuese të tyre duket se e kanë humbur shpresën se do të bëhet më mirë në këtë vend. Askush nuk ka faj që demoralizohet nga kjo qeverisje dhe errësimi i perspektivës nga garnitura që u prin korrupsionit dhe abuzimit, monopoleve dhe nepotizmit, padrejtësive dhe shkeljeve. Në një vend ku gjyqtarët marrin mitë, prokurorët amnistojnë të korruptuarit, avokatët shesin lëndët, çfarë drejtësie mund të ketë? Në një shtet ku për të marrë një tender duhet t'ua mbushësh xhepat zyrtarit të lartë, partisë, klanit kriminal, çfarë ligjshmërie mund të konsiderohet kjo? Në një Republikë ku të preferuarit e oligarkëve mbajnë monopole dhe janë mbi ligjin, ku gjithçka kurdiset në kulisat kriminale, si mund të mbijetojë biznesi i ligjshëm dhe i ndershëm aty? Kosova vërtet është një vend i pasur me resurse natyrore, pasuri minerare, por vetëm një grusht njerëzish në pushtet dhe përreth tij po përfitojnë në mënyrë të paligjshme, duke shfrytëzuar asetet dhe pozitat shtetërore. Sundimi autoritar po bëhet karakteristikë edhe e Kosovës, duke ndjekur shembujt e këqij rajonalë apo më gjerë, ku oligarkët po çimentojnë pushtetet e tyre kriminale, duke mbytur çdo zë të lirë, çdo kundërshtar. Demokracia jonë tepër e brishtë është në rrezik, ndërsa ekonomia ka ngecur keq. Si rrjedhojë, korrupsioni është shndërruar në mënyrë jetese për një pjesë alarmante të njerëzve, që nuk dinë nga t'ia mbajnë, por thjesht u përshtaten kushteve kriminale, në të cilat zhvillohet jeta në Kosovë. Një vend pune, një projekt, një tender, deri edhe një notë provimi, merret në forma korruptive. Për fat të keq, me këtë drejtësi të mbaruar korrupsioni do të lulë- zojë edhe për një kohë të gjatë, ndërsa vullneti politik mungon për ta reformuar sistemin në krizë.

(Kosova Sot)