Shqiptarët e Maqedonisë dhe serbët e Kosovës

  • 02 March 2017 - 17:01
Shqiptarët e Maqedonisë dhe serbët e Kosovës

Presidenti maqedonas, Ivanov, ka bllokuar mandatarin e dytë, Zaevin, duke refuzuar t'ia japë mandatin për të formuar Qeverinë e re, edhe pse me Kushtetutën e këtij vendi kështu parashihet, kur dështon mandatari i parë, që ishte Gruevski, i njohur si antishqiptar i flaktë. Pranimi i Zaevit për të avancuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni duket se është një kafshatë që s'kapërdihet për politikën shoviniste të maqedonasve. Ky vend sigurisht që tash është duke shkuar drejt një procesi të ri zgjedhor, duke e qartësuar edhe një herë se ndaj shqiptarëve ka një refuzim të fortë që t'u avancohen të drejtat e tyre të ligjshme. Vetëm të tërheqim një paralele me Kosovën, ku hapur Lista Serbe, e dirigjuar nga Serbia, ndjek politikat e shtetit fqinj, duke bllokuar procese, ligje, sa herë që iu cenohen interesat. Edhe pse në raport me numrin e popullsisë shqiptarët në Maqedoni janë shumë më tepër sesa serbët në Kosovë, këta të fundit gëzojnë të drejta dhe privilegje, që do t'ua kishin zili në çdo vend të Bashkimit Evropian. Nëse serbëve në Kosovë u plotësohen edhe kërkesa krejt të paarsyeshme, siç është Asociacioni i Komunave, në Maqedoni platforma e shqiptarëve për trajtim më dinjitoz has në bllokadë. E ardhmja e këtij shteti duket se është në rrezik, pas zhvillimeve të fundit, sepse është e patolerueshme një politikë e tillë nacionaliste dhe diskriminuese. Shqiptarët duhet të nxjerrin mësim dhe të mos heqin dorë nga realizimi i të drejtave të tyre. Është momenti kur u duhet dhënë fund përçarjeve brendashqiptare, për hir të një qëllimi madhor, të mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të bashkëkombësve tanë. As më pak, as më shumë, le të kërkojnë aq të drejta sa i kanë serbët në vendin tonë. Nuk ka pse të përdoren standarde të dyfishta në rajon sa u përket komuniteteve që janë në minorancë. 

(Kosova Sot)