Editoriali: Turneu i Mogerinit

  • 04 March 2017 - 17:00
Editoriali: Turneu i Mogerinit

Edhe pse Bashkimi Evropian me dashamirësinë e tij ndaj Serbisë e ka afruar këtë shtet, shkaktar të luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, mikpritja parlamentare për përfaqësuesen e lartë të BE-së, Frederika Mogerini, ka rënë në hijen e parullave të radikalëve të Sheshelit dhe frymës proruse. Vizita e zyrtares evropiane është një rast i mirë për të parë nga afër rrethanat e tensionuara në rajonin tonë, ku Kosova, megjithatë, mbetet më e diskriminuara. Turneu i Mogerinit do të përmbyllet me vizitën në Prishtinë, ku do të duhej të shpjegonte se përse Republika e Kosovës vazhdon të jetë një vrimë e zezë e Ballkanit, e izoluar dhe e margjinalizuar në raport me Serbinë. Serbia në njërën anë vazhdon të tregohet luajale ndaj Brukselit, por në anën tjetër frymon fuqishëm me kursin e Moskës.

Rasti i trenit rus duhet të jetë ende i freskët edhe për përfaqësuesen e lartë të BE-së. Kosova ndërkohë, pavarësisht se ka bërë koncesione të vazhdueshme në dialogun me Beogradin, trajtohet ende si "delja e zezë" e rajonit. Kushtëzimi i liberalizimit të vizave me ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është i dyshimtë dhe i paqartë njëkohë- sisht. Mogerini mund ta qartësojë të vërtetën, nëse do t'u hiqen apo jo vizat shtetasve kosovarë. Mjegullimi i qëndrimeve të Brukselit, në raport me Kosovën, mund të nxisë një zbehje të raporteve, edhe pse jemi të përfshirë në procese të rëndësishme, siç është zbatimi i MSA-së apo projekte të tjera në rrugën e integrimeve evropiane.

Por, pavarësisht mbështetjes së BE-së, gjërat duhen thënë hapur. Për një profesor, student, gazetar, biznesmen, doktor apo mos të flasim për qytetarët e kategorive të tjera, është bërë e stërmundimshme marrja e një vize, për të lëvizur lirshëm në hapësirën Shëngen. Ky getoizim i Kosovës, ndërsa në anën tjetër shohim frymë gjithnjë e më radikale në Serbi, si dje në parlamentin e këtij vendi, dërgon mesazhe negative. BEja duhet t'i hapë letrat me Kosovën dhe të jetë më e prerë në raport me kastën e korruptuar politike në pushtet. 

(Kosova Sot)