Editoriali: Epopeja e zbehur, Bac na fal!

  • 06 March 2017 - 17:06
Editoriali: Epopeja e zbehur, Bac na fal!

Marsi është muaji i përkujtimeve të mëdha, sakrificave të jashtëzakonshme për lirinë e Kosovës. Prekazi është vendi ku mijëra vizitorë bëjnë homazhe dhe nderojnë të rënët e familjes emblematike të Adem Jasharit. Komandanti legjendar u bë simboli i luftës kundër regjimit të Milosheviqit dhe flijimi bashkë me familjen e tij i dëshmoi botës së ky popull i ka heronjtë e vet të vendosur për të shkuar deri në fund, për liri dhe pavarësi.

Me heroizmin e Adem Jasharit lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mori frymëzimin që i duhej, për të mos u ndalur në një përballje të pabarabartë, por ku bota demokratike ishte në anën e mbi një milion shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre. Shumëkush që rrëmbeu armët që të sakrifikohej për atdheun me siguri nuk e ka pritur që pas kaq vjetësh kjo histori, e mbushur me dramë e lavdi, dalëngadalë do të përzihej, do të zbehej. Sot, ish-komandantët e UÇK-së, që menjëherë pas luftës shfaqeshin si heronj në ekranet televizive, i shohim në procese gjyqësore, duke vuajtur dënime për krime lufte. Shumica e tyre veshën kostumin e politikanit, pastaj ambiciet u rritën bashkë me pasurinë. Nuk kalon javë që nuk dëgjon për një aktakuzë kundër politikanëve, që dikur luftuan kundër Serbisë.

Lufta dhe qëllimi i pastër i saj shpejt u njollosën dhe kulmi mbërriti me miratimin e Gjykatës Speciale. Ndonëse ishte shteti serb që në mënyrë të organizuar bëri gjenocid, masakra, krime, monstruoze kundër shqiptarëve, tash janë ish-krerët e UÇKsë ata që pritet të përballen me aktakuza për krime lufte. Epopenë e zhvlerësuan komandantët që u verbuan nga lakmia për pushtet dhe pasuri të paligjshme. Bac u kry ishte një parullë me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, por sot këta pushtetarë, që thirren në vlerat e UÇK-së, do të duhej të paktën të thonë: Bac, na fal!

(Kosova Sot)