Editoriali: Poker kosovar

  • 11 March 2017 - 17:08
Editoriali: Poker kosovar

Kosova vazhdon të humbasë shumë kohë të çmuar shkaku i politikanëve të pandreqshëm, të korruptuar dhe të inkriminuar. Gjithçka që ata bëjnë e kanë në funksion të realizimit të interesave personale, klanore apo kriminale. Edhe një ligj kur vendosin ta votojnë në Kuvend nuk e ngrenë dorën pa e ditur se çfarë përfitimesh kanë për veten e tyre. Kjo kastë pushtetarësh vetëm në shërbim të qytetarëve nuk mund të jetë asnjëherë, prandaj si e tillë nuk do të duhej të merrte më besimin popullor. Politika na e humbi një kohë të gjatë me Asociacionin dhe Demarkacionin, ndërsa tash me gjasë do të shpenzojmë javët e muajt në vijim duke u marrë me transformimin e FSK-së përmes ligjit, që kundërshtohet nga SHBA-ja e NATO-ja. Askund në botë ushtria nuk bëhet me një ligj të thjeshtë, por me Kushtetutë, aktin themelor politikojuridik, aty ku janë elementët kryesorë të shtetësisë. Kaq me emergjencë e ka marrë kreu i shtetit këtë nismë, saqë ka kërcënuar edhe me dorëheqje, nëse nuk votohet ligji nga Kuvendi.

Basti i presidentit është sfidues, sidomos për opozitën, që deri tash nuk e ka respektuar si të tillë, por duket se kanë ndryshuar qëndrim prej momentit kur u iniciua formimi i ushtrisë përmes ndryshimeve ligjore. Partitë i kanë dy zgjidhje, të mbështesin aventurën e Thaçit apo të respektojnë marrëdhëniet e mira me SHBA-në dhe NATO-n. Duke i parë spotet e njëpasnjëshme elektorale të kryetarit të Kuvendit dhe të PDK-së, mund të kuptohet edhe thelbi i ngutjes me ushtrinë. Të hysh në një fushatë elektorale me triumfin për Ushtrinë e Kosovës sjell vota për partinë që ka marrë flamurin e procesit në fjalë. Si shumë ligje të tjera, që miratohen në Kuvendin e Kosovës pa ua lëshuar asnjë sy shumica e ligjvënësve, edhe ky për FSK-në me siguri do të procedohet në atë formë. Zhvendosja e vëmendjes tek ushtria është gjithashtu anashkalim i shumë problemeve sfiduese, si kriza e drejtësisë, korrupsioni, pabarazia sociale, ekonomia e ngulfatur, monopolet etj. Por, kur pushtetarët luajnë bixhoz me fatin e qytetarëve, veç gjëra të mira nuk priten. 

(Kosova Sot)