Editoriali: Republika e shantazhit

  • 13 March 2017 - 17:00
Editoriali: Republika e shantazhit

Kërcënimi me dorëheqje i presidentit të Republikës së Kosovës, në rast të dështimit të miratimit nga ana e Kuvendit të projektligjit për FSK-në, nuk është kurrfarë befasie në ambientin e kontaminuar politik të vendit tonë. Që prej pasluftës, protagonistët e këtyre viteve janë mësuar me shantazhe, kërcënime, prapaskena, dallavere. Ky mentalitet i të shantazhuarit është zhvilluar aq shumë sa është shndërruar në model pune.

Edhe emërimet e ndryshme, kur janë bërë nga oligarkët e pushtetit, gjithnjë janë bazuar në mundësinë e shantazhit. Presidenti, i cili njihet si politikan me përvojë në këtë lëmi, nuk përton të dalë me një deklaratë të tillë të papërgjegjshme, duke kërcënuar me zgjedhje të reja dhe krizë politike. Ai dhe bashkëpushtetarët e tij janë mësuar të shantazhojnë rivalët, të shantazhojnë bile edhe njëri-tjetrin, për interesa të ngushta, për tenderë, për para, për pushtet. Të shantazhuarit pra, në Republikën tonë, është mënyrë e të menduarit, formë e qeverisjes, sindrom i pashërueshëm.

Shantazhi është bërë diçka normale kudo, në çdo zyrë, në çdo organizatë buxhetore. Në shtetin e kapur, politikanët e inkriminuar të vetmen mënyrë për të mbetur në pushtet e kanë shantazhin. Ata gjatë këtyre viteve kanë ndërtuar konjuktura, të cilat i kanë në shfrytëzim, kur u duhet të shantazhojnë dikë. Duke qenë të mësuar me ndjesinë e shantazhimit, këta soj pushtetarësh, që e gremisën shtetin, janë të gatshëm t'u nënshtrohen edhe vetë shantazheve të ndryshme, sidomos në proceset si dialogu etj. Marrëveshjet e dëmshme nuk janë të rastësishme, por pasojë e nënshtrimit. Për sa kohë do të kemi në krye të shtetit politikanë të shantazhuar dhe që ushtrojnë shantazh mbi këdo që u del përpara në realizimin e interesave kriminale e korruptive, ky vend nuk do të bëhet ashtu siç kemi aspiruar. Duhet një gjeneratë tjerët politike për të shkapur shtetin dhe për ta shpëtuar demokracinë e rrezikuar.