Editoriali: Shoqëria klienteliste e milionave

  • 15 March 2017 - 17:01
Editoriali: Shoqëria klienteliste e milionave

Për dy vjet, organizatat e shoqërisë civile përfituan rreth 28 milionë euro nga fondet publike të shpërndara përmes Qeverisë, komunave dhe agjencive të tjera shtetërore. Efekti i projekteve të OJQ-ve, sigurisht është dukshëm larg asaj që mund të pritet, përmes një financimi kaq bujar të shtetit. Disa OJQ mund të kenë qenë më aktive, e disa të tjera pak më në hije, por në tërësi shoqëria civile nuk po arrin të dalë përtej politikës dhe varësisë nga donatorët. Ideja fillestare e mbështetjes së shoqërisë civile është zhvillimi i një aktiviteti kritik ndaj qeverisjes së dobët dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve përmes nismave të ndryshme.

Përjashto tek-tuk ndonjë ngjarje pak më mbresëlënëse, në përgjithësi, milionat u shpërndanë, por rezultatet nuk u morën. Ka një arsye të fortë, se pse jepen këto shuma të mëdha, ndërsa mungojnë frytet e sipërmarrjes ojq-iste. Pushteti e ka gjetur formulën edhe për komprometimin e shoqërisë civile. A i keni parë se si para zgjedhjeve ata analistët e deridjeshëm fluturojnë sa në gjirin e një partie, në krahët e një lideri, duke harruar "pavarësinë" që e trumbetonin përmes raporteve "objektive". Qeveria në nivelin qendror dhe në atë lokal ka arritur të përfshijë në sistemin klientelist edhe organizatat e shoqërisë civile. Nëse para pak vjetësh kishte më tepër guxim, projekte të pavarura, etj., sot një pjesë e madhe e përfituesve të granteve qeveritare janë të lidhur ngushtë me vetë institucionet.

Zyrtarët janë bërë inteligjentë dhe tash i kanë krijuar vetë organizatat e tyre, natyrisht jo në emrin e vet, por me rëndësi, fondet i shpërndajnë në mënyrë korruptive dhe klienteliste. Kjo mënyrë financimi e determinon edhe performancën e plot OJQ-ve, kriticizmin e tyre që lë për të dëshiruar dhe harresën e nevojave të qytetarëve. Shoqëria civile, për fat të keq, është bërë një deriçkë e politikës, në vend që të jetë një dritare për interesin publik. Në tryezat, forumet e tyre, më tepër shohim reklamim të politikanëve dhe oligarkëve sesa adresim të shqetësimeve kryesore të shoqërisë kosovare

(Kosova Sot)