Kur dalin rrenat në fushë

  • 16 March 2017 - 17:37
Kur dalin rrenat në fushë

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, e ka nxjerrë "blof" presidentin e Kosovës, që po përpiqet të mashtrojë opinionin publik se gjoja e ka mbështetjen ndërkombëtare për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, vetëm përmes ligjit, pa ndryshime kushtetuese dhe pa pëlqimin e komuniteteve."Kjo nuk është ajo se si ne e parashikuam se do të ndodhë procesi. Kjo me të vërtetë nuk e pasqyron përmbajtjen e diskutimeve që ne i kemi pasur me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në të kaluarën e afërt."Ne punojmë shumë ngushtë në partneritet lidhur me këto çështje. Kjo është arsyeja pse disi u befasuam dhe u zhgënjyem kur ky projektligj u paraqit javën e kaluar, sikur të kishte rënë nga qielli". Këto deklarata të ambasadorit të SHBA-së, mbështetëse e pakursyer e Pavarësisë së Kosovës dhe konsolidimit të shtetësisë, nuk kanë si të jenë më të qarta dhe të drejtpërdrejta. Atëherë shtrohet pyetja ku e ka hallin Hashim Thaçi, që po provokon me nismën dhe presionin e tij për miratimin urgjent të një projektligji që i jep kompetencat e ushtrisë FSK-së aktuale? Më së miri do të duhej vetë kreu i shtetit të bëhej transparent dhe të rrëfehej për shqetësimet që i ka. Përndryshe, ushtria është vërtet e rëndësishme, siç e kemi theksuar edhe më herët, por mënyra e procedimit është shumë e dyshimtë dhe po shihet se e fut Kosovën në një konflikt me SHBA-në, pa të cilën shteti ynë sigurisht nuk do të ishte sot. Partitë kosovare duhet t'i thërrasin mendjes dhe të deklarohen nëse duan të prishin raportet me SHBA-në apo do t'ia plotë- sojnë dëshirën presidentit aventuresk. Ushtria, gjithsesi, do të bëhet, por pa koordinimin dhe pëlqimin e partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-së dhe NATO-s, vetëm presidenti i Kosovës e ka "zbuluar" formulën se si ta bëjë. Kuvendi i Kosovës duhet të tregohet shumë i përgjegjshëm, edhe pse me këtë përbërje vështirë e ka, por raportet me SHBA-në nuk guxojnë të prishen për shkak të një marrëzie politike. 

(Kosova Sot)