Editoriali: Turistë në Kuvend

  • 17 March 2017 - 17:00
Editoriali: Turistë në Kuvend

Shifrat e KDI-së për frekuentimin e komisioneve parlamentare nga ana e të zgjedhurve të popullit, gjatë vitit të kaluar, janë vërtet tronditëse dhe fyese për votuesit, që i kanë deleguar përfaqë- suesit e tyre për të punuar e jo për të mrizuar. Gjatë vitit 2016, deputetët kanë munguar 1,207 herë, në mbledhjet e komisioneve parlamentare, që i bie se mesatarisht secili komision ka 80 mungesa.

Po të llogarisim se në këto të dhëna nuk përfshihen mungesat në seancat plenare, atëherë përmasat e kësaj mungese skandaloze janë edhe më dramatike. Kjo neglizhencë dhe ky injorim i deputetëve, për punën në Kuvend, është fyerje për shoqërinë dhe do të duhej ndëshkuar të paktën në zgjedhjet e ardhshme. Taksapaguesit kosovarë e paguajnë mesatarisht një deputet rreth dy mijë euro në muaj, pa harruar se ata ushtrojnë edhe punë të tjera në sektorin publik dhe privat. Por, çfarë dobie ka nga ky përfaqësim? Agjenda legjislative ka ngecur, projektligjet po zvarriten, marrëveshjet e ndryshme dështojnë për mungesë kuorumi. Cilësia e ligjbërjes është më e dobët se kurrë, sepse nuk ka kush të merret me procesin legjislativ.

Puna në komisione është tepër e rëndësishme, ngase aty bëhet gati thuajse gjithçka për seancën e Kuvendit dhe të mungosh kaq shumë brenda një viti do të thotë ta dëmtosh jashtëzakonisht tërë këtë proces legjislativ. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi, por në këtë Kuvend askujt nuk i bën përshtypje ky shpërdorim i votës popullore. Aq më pak mund të pritet ndonjë reagim në lidhje me këto mungese, kur me sa po shihet kjo legjislaturë, me gjasë, i ka ditët e numëruara. Mjafton të shohim vetëm spotet "elektorale" të kryeparlamentarit, në turneun e tij të "dëgjimeve" publike, për të kuptuar se po vjen era zgjedhje. Edhe nëse mbahen shpejt, nëse sërish vota e elektoratit do të nxjerrë përfaqësues të tillë, si këta të sotmit, e tëra do të jetë një përpjekje e kotë. Nuk na duhen turistë, por parlamentarë aktivë që punojnë për vendin.

(Kosova Sot)