Editoriali: Kur pushteti përkujdeset për banditët

  • 18 March 2017 - 17:45
Editoriali: Kur pushteti përkujdeset për banditët

Politikanët kosovarë mund të jenë të padijshëm në shumë aspekte, por kur është fjala te ruajtja e privilegjeve dhe mbrojtja apo favorizimi përmes legjislacionit, ata nuk lënë gur pa lëvizur, që të mundësojnë komoditet maksimal, sidomos në rastet, kur ballafaqohen me drejtësinë. Shembulli me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale është rasti më i freskët, ku shihet se si oligarkët e pushtetit përpiqen të trafikojnë amendamente, të cilat janë në favor të banditëve të lidhur me pushtetarët. Duke e parë heshtjen, edhe të opozitës, por edhe të vetë shoqërisë civile, e cila zakonisht e ngre zërin në rrethana të tilla, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e ka shprehur fuqishëm kundërshtimin e amendamentit të propozuar në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, i cili i siguron çdo të arrestuari llogaritjen e 24 orëve të mbajtjes së burgut si 36 orë të kryerjes së dënimit.

Ky amendament, ashtu siç është tani, do t'i jepte të drejtë çdo krimineli të dënuar, që është duke kryer dënimin me burg, ta ketë dënimin më të shkurtër për 1/3-ën e kohëzgjatjes së dënimit. Pra, nëse Kuvendi i Kosovës e miraton si të tillë këtë ligj, i bie që kjo legjislaturë është duke e shpallur të gabueshëm çdo vendim të pavarur juridik që rezulton me mbajtje të burgut. Gjithnjë, sipas këtij ligji të kamufluar për interesat e bandave, çdo dënim me burg në të ardhmen do të jetë më i shkurtër sesa ai që e vendos gjyqtari. Duke pasur parasysh se gjyqtarët, sidomos në rastet e politikanëve, zyrtarëve apo personave të tjerë të inkriminuar, të lidhur me ta, shqiptojnë dënime modeste, i bie që edhe të mos e vuajnë fare dënimin, pavarësisht veprave korruptive, kriminale që mund të kenë kryer. Siguria ligjore dhe pavarësia e Gjyqësorit është e rrezikuar, në këtë mënyrë dhe është në dorën e Kuvendit, ta ndalojë një gjë të tillë. Mos të harrojmë se SHBA-ja japin miliona dollarë që ta ndihmojnë sundimin e ligjit në Kosovë dhe ja ç'bën pushteti - trafikon amendamente që e cenojnë rëndë drejtësinë.

(Kosova Sot)