Editoriali: Uji, dritat, Republika

  • 20 March 2017 - 17:11
Editoriali: Uji, dritat, Republika

Një ngarendje e furishme u pa në ekranet televizive, në medie online, rrjete sociale, për ngjarjen e shumëpritur në kryeqendrën tonë - furnizimin me ujë 24 orë! Kryetari aktual nxitoi të vetëshpallej hero dhe mbajtës i një premtimi elektoral, duke harruar se fabrika në Shkabaj ishte në fakt projekt i nisur më herët. Natyrisht, edhe politikanë të tjerë u pështollën në lajmin për fabrikën e ujit, për të bërë pak publicitet, për të marrë ndonjë meritë. Të gjithë së bashku, në nivelin qendror dhe lokal, në fakt nuk kanë çfarë të mburren, sepse janë pikërisht ata, me qeverisjen e tyre, që e kanë lënë këtë vend të vuajë për ujë gjatë tërë këtyre viteve dhe jo vetëm. Sot, mijëra qytetarë kanë mungesë të ujit të pijes dhe të energjisë elektrike. Qindra milionëshe janë humbjet e bizneseve, për shkak të mungesës së furnizimit të rregullt me energji.

Ujësjellësit mbulojnë vetëm një pjesë të popullatës anekënd Kosovës. Ligje dhe strategji janë hartuar, por në praktikë familjet kosovare vuajnë për gjëra elementare - për ujë dhe drita! Niveli i këtyre shërbimeve publike është një tregues i rëndësishëm i joseriozitetit të shtetit që po e ndërtojmë. Kosova ka resurse të mjaftueshme për kaq banorë sa jemi, qoftë për ujë, qoftë për energji elektrike. Nëse do të menaxhoheshin mirë këto resurse, sigurisht që nevojat do të plotësoheshin dhe nga ana tjetër, do të mund të shndërroheshim në eksportues. Por, menaxhimin e burimeve energjetike dhe ujore e kanë pasur dhe e kanë në duart e tyre gjithnjë pushtetarët, të cilët në rend të parë e kanë pasur interesin e tyre, pastaj, nëse eventualisht u ka dalë kohë, kanë bërë diçka, fare pak në të vërtetë, për qytetarët. Furnizimi 24 orë me ujë i Prishtinës është lajm i mirë, nëse ndodh ashtu, por 18 vjet pas luftës të diskutojmë ende a kemi a nuk kemi ujë, a kemi a nuk kemi drita, është e pafalshme për këtë klasë politike që vërtitet gjithnjë në majat e pushtetit, shfrytëzon privilegje dhe zhvat, por nuk merr kurrë përgjegjësi. 

(Kosova Sot)