Editoriali: A punon dikush në këtë vend?!

  • 21 March 2017 - 17:14
Editoriali: A punon dikush në këtë vend?!

Nuk duhet të jesh vëzhgues i stërholluar, që të kuptosh se, përfundimisht, institucionet janë shkrehur si asnjëherë më parë. Detyra e të zgjedhurve, e funksionarëve shtetërorë, e krerëve të Republikës, është të punojnë për interesin publik dhe nacional, por sa janë duke e bërë ata një gjë të tillë?!

Presidenti është mobilizuar për ta bërë ushtrinë, me çdo kusht, pa SHBA-në e NATO-n, me një urgjencë, të cilën më së miri veç ai mund ta shpjegojë. Një gjë është e qartë, se po të ishte interesi publik, forma sigurisht jo vetëm në këtë rast, por edhe në reformën elektorale, edhe në reformën në drejtësi, do të ishte tjetër, në partneritet pozitë-opozitë, e jo kështu të përçarë si rrallëherë. Kreu i shtetit nuk lë ngjarje, qoftë edhe periferike, pa marrë pjesë, vetëm e vetëm, që të shfaqet si misionari i ushtrisë, që dihet se do të bëhet, sepse është e paraparë edhe me Pakon e Ahtisarit. Në anën tjetër, kryeparlamentari nuk ka të ndalur në turret e tij të dëgjimit me qytetarët.

Sa mirë, që një lider po ua vë veshin hallexhinjve të shumtë anembanë Kosovës. Spotet e kryetarit të Kuvendit të krijojnë një përshtypje se parafazën elektorale ai veç po e kryen, në pritje të shpalljes së datës së zgjedhjeve të reja. Lokalet, dihet se sivjet do të mbahen, por ende nuk është e qartë se çfarë po ndodh me zgjedhjet parlamentare? Kryeministri i vendit iu bashkua dje aktiviteteve me karakter partiak, elektoral, duke takuar kryetarët e Degëve të Lidhjes Demokratike. Figura të partisë së tij i kanë shtuar polemikat së fundmi me zyrtarë të partnerit qeverisës, për vrasjet "politike", ushtrinë, etj. Edhe pse kjo e hënë ishte Dita Ndërkombëtare e Lumturisë, dy partitë e mëdha nuk mund ta fshehin më palumturinë e tyre në këtë koalicion tepër jofunksional që nga fillimi. Sidoqoftë, për sa kohë kanë përgjegjësi qeverisëse, ndjenjat e tyre pak kanë rëndësi, sepse e kanë detyrim të punojnë për Kosovën. Por, sa pak po e bëjnë një gjë të tillë!

(Kosova Sot)