Editoriali: Drejtësia e kapur dhe nisma e dyshimtë presidenciale

  • 22 March 2017 - 17:04
Editoriali: Drejtësia e kapur dhe nisma e dyshimtë presidenciale

Kreu i Republikës, duke mos pasur agjenda të tjera, sidomos në rrafshin ndërkombëtar si udhëheqës i politikës së jashtme, vazhdon të qarkullojë në terrenin e brendshëm, disa nisma të tjera, përveç asaj më të zhurmshmes-formimit të ushtrisë përmes një ligji, pa përfillur Kushtetutën. Në mesin e ideve të tjera të presidentit është edhe parandalimi i pjesëmarrjes në zgjedhje të personave, që janë nën hetime. Por, sa është e sinqertë në fakt kjo nismë? Vetë partia, që dikur e udhëhiqte presidenti aktual, ka ende apo vazhdimisht ka pasur zyrtarë nën hetime, nën aktakuza apo edhe të dënuar. Në asnjërin rast, askush nuk është privuar nga aktiviteti politik, pjesëmarrja në zgjedhje apo ushtrimi i detyrës zyrtare.

Një iniciativë e tillë nga një lider, i cili personalisht ka dhënë shembullin më të keq, të heshtjes dhe pranimit të kësaj praktike, që rrezikon demokracinë dhe shtetin, është më se e qartë se ka një prapavijë të caktuar. Në pozicionin e kreut të shtetit, ai nuk ka harruar se duhet t'i bëjë ndonjë shërbim klanit "Pronto", që qeveris e sundon, udhëheq e abuzon, zhvat e shpërdoron, pasuritë dhe besimin e publikut. Degët e këtij klani kriminal, ku përzihen politikanë e biznesmenë të inkriminuar, janë të shtrira në çdo pore të shtetit, në polici e ministri, në prokurori e gjykata. Në rrethana të njëjta demokracia funksionale dhe një shteti ligjor, ndalimi o kandidimit në zgjedhje të personave nën hetime mund të ishte një veprim i drejtë, pa e paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e tyre. Por, në kushtet e Kosovës, kur drejtësia konsiderohet shumë e ndikuar politikisht dhe kjo mund të shihet në mënyrën se si zgjidhen drejtues të gjykatave dhe prokurorive, një ndalesë e tillë do të keqpërdorej në maksimum. Klani "Pronto", përmes kësaj nisme po përpiqet të eliminojë nga gara politike së pari vetë kundërshtarët brenda radhëve të partive në pushtet që kritikojnë qeverinë dhe së dyti, opozitarët dhe secilin që i bashkëngjitet partive opozitare. Kjo nismë, si e tillë, pra, duhet të parandalohet.

(Kosova Sot)