Editoriali: Abuzimi i pandëshkuar me paranë publike

  • 23 March 2017 - 17:04
Editoriali: Abuzimi i pandëshkuar me paranë publike

Auditori i Përgjithshëm, gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, përmendi një fakt shqetësues, që do të duhej të zgjonte, të paktën, vëmendjen e Prokurorisë së Shtetit. Kreu i ZAP-it tha se kryetarët e komunave po bëjnë shkelje ligjore në mosrespektimin e kodeve të pagesave, duke e ilustruar edhe me një shifër konkrete-tre milionë euro. Në prag të zgjedhjeve lokale, kur edhe projektet elektorale shtohen, duke shkelur procedurat ligjore dhe rregullativat në fuqi, ky tre milionësh mund të shumëfishohet.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm paralajmëroi edhe publikimin e raporteve për komunat për vitin 2016, ku pritet të ketë shumë shkelje që bëhen në nivelin lokal, ngjashëm me atë qendror. Ndonëse janë evidencuar me fakte dhe argumente të bollshme abuzimet me fondet publike, ka fare pak raste me të cilat merret organi i akuzës. Zakonisht, shkeljet e rënda nuk bien në "radarin" e prokurorëve, kurse disa më minore aktivizojnë prokuroritë përkatëse. Para ligjit nuk do të duhej të bëhej kurrfarë diskriminimi, dhe të përdorej ndonjë standard i dyfishtë, sepse kjo e rëndon edhe më tepër situatën në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dihet se në raport me shtetin, mënyra se si shpenzohen paratë publike është tepër e kompromentuar, e klientelizuar, korruptive dhe me një fjalë, kriminale.

Zyrtarë kosovarë kanë arritur brenda pak kohësh të palojnë milionat, ndërsa çuditërisht vetëm organet e drejtësisë e kanë të vështirë të mbledhin prova për këtë realitet, që është bërë i zakonshëm tashmë. Nëse Prokuroria do të ndiqte deri në centin e fundit se si zhvillohen tenderët, ku përfundojnë mjetet, si bëhen dallaveret në prokurimin publik, me subvencione milionëshe, atëherë do të arrinte të nxirrte para gjykatës qindra zyrtarë, politikanë, biznesmenë të inkriminuar. Shembulli i djeshëm që e dha ZAP-i, sigurisht do të kalojë në heshtje, sikur nuk ka ndodhur asgjë, por kjo është e pafalshme për shtetin tonë që synon më kot, në këtë formë, të vendosë sundimin e ligjit.

(Kosova Sot)