Editoriali: Të rilindësh në flakët e luftë

  • 24 March 2017 - 17:03
Editoriali: Të rilindësh në flakët e luftë

Po bëhen gati dy dekada, kur Gazeta "Kosova Sot", pasi ishte bërë halë në sy të regjimit shovinist dhe hegjemonist serb, u sulmua, për t'ia mbyllur gojën, nga piromanët e Serbisë. Ishte koha kur mbi caqet serbe fluturuan bombat e NATO-s, që paralajmëruan fundin e një sundimi. "Kosova Sot" përpiqej të jepte kontributin e saj, si një media e lirë dhe e pavarur, që në momentet e vështira për vendin nuk u kursye për të raportuar të vërtetën për rezistencën dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krimet monstruoze të ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare të Serbisë milosheviqiane. Për ne, si medium në hapat e parë, sigurisht ishte sakrificë dhe duhej të përballeshim me më të keqen. Flakët e luftës përpinin gjithçka para 18 vjetësh.

Regjimi serb na kishte dënuar dhe na sulmoi, për të na ndalur, por lufta për të vërtetën nuk mund të përfundonte me një djegie që shkaktoi dëme të mëdha për sipërmarrjen tonë mediale. Ashtu si Kosova, pas një eksodi masiv, u ringjall dhe iu kthye normalitetit edhe "Kosova Sot", u ribotua dhe dalëngadalë, por sigurt, eci në rrugën që e trasuam bashkërisht me lexuesit tanë besnikë. Për fat të keq, në mungesë të një shteti që mbron individët dhe bizneset, sot nuk kemi ku të adresojmë paditë për kompensim të dëmeve të luftës që na i shkaktoi Serbia sunduese. Gjykatat tona janë të paafta ta bëjnë një gjë të tillë.

Drejtësinë nuk ke ku ta kërkosh dhe ajo që na mbetet është ta shprehim sërish këtë shqetësim. Nga ana tjetër, institucionet, edhe pse janë të vetëdijshme për kontributin medial të "Kosova Sot", jo vetëm që nuk janë në gjendje formalisht dhe simbolikisht ta nderojnë Gazetën, por, bile e sulmojnë atë sa herë që munden, pa kursyer mjete. Në këtë vend dekorohen edhe tradhtarët, por harrohen kontribuuesit e vërtetë. Turp, për Republikën, në ç'gjendje ka rënë!

(Kosova Sot)