Editoriali: Dorëheqja nuk mjafton!

  • 01 April 2017 - 17:30
Editoriali: Dorëheqja nuk mjafton!

Pas konfirmimit nga vetë protagonisti i rastit, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, se fotografia ku ai shihet duke qëndruar në jahtin, që thuhet se është në pronësi të mafio-oligarkëve 'Devolli', është tërësisht e vërtetë, është e pakuptimtë që kreu i Komunës të rrijë më në atë pozitë, që e kishte fituar pa fije merite. Sidomos, për një kryetar që vjen nga lëvizja 'Vetëvendosje', që të paktën, në krahasim me partitë e tjera është parë si apo kinse më e distancuar nga korrupsioni dhe klientelizmi, nga mafia dhe oligarkia, dorëheqja duhej të pasonte menjëherë. Në fakt, nuk bëhet fjalë për dorëheqjen vetëm si akt moral, ngase nuk është ajo e tëra, që duhet të shohin qytetarët. Organet kompetente të Republikës së Kosovës duhet të hetojnë lidhjet klienteliste e puro-korruptive të Shpend Ahmetit&CO, ashtu siç do të duhej ta bënin një gjë të tillë në çdo rast apo skandal, si në aferën "Pronto" etj. Sikur Ahmeti të mos kishte 'lidhje korruptive' me biznesmenët e favorizuar nga pushteti, me gjasë edhe deri hisenik në milionat e tyre të inkriminuar, natyrisht që nuk do ta kishin qasur në jahtin e tyre luksoz. Në njërën anë shokët e Shpendit kinse shfryjnë e mallkojnë kundër krimit e korrupsionit, por në anën tjetër japin mesazhe flirtimi në thellësitë e korrupsionit përmes të zgjedhurit të tyre në krye të Prishtinës për tre vite e gjysmë. Edhe andej, edhe këndej, sikur nuk shkon.

Në politikën kosovare, standardi i dorëheqjes në skandale të tilla të inkriminuara është një model i refuzuar prej kohësh, sepse politikanët te ne e konsiderojnë veten të pagabueshëm edhe kur gabojnë, të pafajshëm edhe kur u dëshmohet faji, prandaj nuk mërziten shumë për pasojat kurrfare. Megjithatë, jahti që joshi Shpendin nuk mund të kalojë vetëm me ca zhurmë në medie serioze e rrjete sociale. Skema mafioklienteliste tanimë e parë për më shume se tre vite rresht, që udhëheq Komunën e Prishtinës, i ka fijet dhe adresën e krimit pikërisht tek ai jaht. Siç shihet e do të dëshmohet shpejt, edhe kryetarit të kryeqytetit i pëlqen shumë t'ia mbushin gushën, ashtu siç ua mbushin mafiooligarkët e biznesit edhe shumë pushtetarëve të tjerë, të cilët më pas ua kthejnë favoret përmes tenderëve, lejeve të ndërtimit, dhënia e hapësirave publike, shpërblimi me toka komunale, e shumëçka në favor të tyre, kur është fjala për tender, projekte, shfrytëzim të pronës publike etj. Vetëm dorëheqja është e pamjaftueshme, por si duket as kjo nuk është duke ndodhur, si për të treguar se sa e pafytyrë, e paetikë dhe thellë e inkriminuar është mafio-politika e instaluar në kryeqytetin e Prishtinës.

(Kosova Sot)