Editoriali: Transparencë për çdo cent

  • 04 April 2017 - 17:11
Editoriali: Transparencë për çdo cent

Projekti për transparencën fiskale, i prezantuar dje nga ministri i Financave, duhet përshëndetur, por njëkohësisht Qeverisë duhet t'i bëhet thirrje, që të jetë transparente në të gjitha veprimet e saj. Publiku ka të drejtë të dijë për çdo cent të shpenzuar, se ku përfundon. Kjo vlen gjithashtu për secilin nivel tjetër të pushtetit dhe jo vetëm atë qendror, përfshirë institucionet e pavarura, agjencitë, kompanitë publike, etj. Edhe pushteti qendror, edhe ai lokal, janë shquar gjatë tërë këtyre viteve për mungesë transparence, sidomos në veprimet financiare që i kanë bërë, në transaksionet dhe pagesat e ndryshme, prej vlerave të vogla deri te shumat milionëshe. Transparenca është njëri ndër kriteret themelore për një qeverisje të mirë, por, fatkeqësisht, nuk është përfillur asnjëherë. Pushteti është munduar vazhdimisht t'i mbajë mediet larg veprimeve financiare, aty ku edhe dyshohet se bëhen shumica e dallavereve, aferave korruptive, që mbushin xhepat e oligarkëve dhe klientelave të tyre. Pasqyrimi i njëqindpërqindtë, i shpenzimeve të çdo centi do të ishte i dobishëm për të parë konkretisht se si shpenzohen fondet publike dhe mbi çfarë baze ligjore bëhen veprimet përkatëse, tenderët, dhë- nia e subvencioneve etj. Duke marrë shkas edhe nga skandali i jahtit, ku protagonist është kryetari i Prishtinës, bëhet edhe më e domosdoshme kjo transparencë. Kur të shihet se ku përfundon paraja publike, zbardhen edhe bizneset klienteliste që përfitojnë më së shumti, pra dekonspirohet në njëfarë kuptimi edhe lidhja e dyshuar korruptive -biznes-pushtet. Sigurisht, pushtetarëve nuk u konvenon kjo transparencë, por publiku, shoqëria civile, mediet, opozita, duhet ta shtojnë presionin që kjo të ndodhë gjithsesi. Duhet të vendoset një standard i ri, të cilit do t'i nënshtrohen të gjithë zyrtarët shtetërorë. Pavarësisht projektit të MF-së, që mbështetet nga USAID-i, kemi plot raste kur Qeveria fsheh shpenzimet. Për shembull, asnjëherë nuk dihet se si shpenzojnë zyrtarët e lartë që posedojnë kartela të posaçme, ndërsa ka të dhëna se abuzimet janë të pafund. Pushteti duhet të jetë krejtësisht transparent, sepse ndryshe nuk ka qeverisje të mirë dhe të besueshme. 

(Kosova Sot)