Editoriali: Po rritemi, por punë nuk ka!

  • 07 April 2017 - 16:56
Editoriali: Po rritemi, por punë nuk ka!

Shifrat e Bankës Botërore, edhe pse e motivojnë Qeverinë kosovare që të mburret në ekranet televizive, nuk përputhen me pritjet, sepse kreu i ekzekutivit kishte parashikuar një rritje katër për qind dhe sipas BB-së Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2016, kurse gjatë këtij viti rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.9 për qind. Fakti që kjo rritje konsiderohet më e larta në rajon mund ta entuziazmojë ekzekutivin, por sa i përket punësimit është e pamjaftueshme për të akomoduar qindra-mijëra kërkesa për punë, sidomos në radhët e të rinjve dhe femrave, të goditur më tepër nga papunësia. Pavarësisht shifrës pozitive të rritjes, Kosova ende nuk po arrin të krijojë kushte për konkurrencë në rrafshin ndërkombëtar, pasi mungojnë kapacitetet për eksport të prodhimeve. Pa qenë të aftë të konkurrojmë në tregjet botërore, nuk mund të themi se kemi mbërritur cakun e duhur për një vend me ekonomi solide.

Edhe pse deficiti fiskal ka qenë më i ulët dhe sektori financiar ka pasur performancë të mirë, është vërejtur një rënie e investimeve të huaja. Vendi ynë, edhe pse ka resurse, nuk po arrin të jetë shumë tërheqës për investuesit potencialë. Qeveria nuk duhet ta harrojë faktin se për ta ulur nivelin e papunësisë Kosova duhet të ketë dyfishin e rritjes ekonomike të prezantuar dje nga Banka Botërore.

Mijëra të rinj futen çdo vit në tregun e punës, por e kanë të vështirë të gjejnë një punë. Partitë në koalicionin qeverisës nuk duhet të bëjnë sikur nuk i mbajnë mend premtimet elektorale në vitin 2014, kur u zotuan se me programet e tyre ekonomike do të punësonin prej 120 mijë deri 200 mijë kosovarë. Shifrat që i prezanton pushteti, edhe pse të fryra, nuk përputhen deri në fund të mandatit me këtë trend, që do të thotë se kur oligarkët e partive të mëdha të rikërkojnë votën e elektoratit, rezultati do të duhej të ishte ndëshkues.

(Kosova Sot)