Editoriali: Kushtetuta që mbeti në letër

  • 08 April 2017 - 17:05
Editoriali: Kushtetuta që mbeti në letër

Krerët e institucioneve kosovare u bënë bashke dje dhe shënuan 9-vjetorin e Ditës së Kushtetutës së Republikës, duke i thurur elozhe vetes dhe sistemit qeverisës, që ata kanë ndërtuar gjatë këtyre vjetëve. Secili prej liderëve nuk ngurroi të theksonte garancitë, që i jep Kushtetuta për drejtësi, ekonomi, siguri, mirëqenie, shëndetësi, arsim, të drejta të njeriut etj. Por, përtej kësaj fasade mashtruese, e vërteta është krejtësisht tjetër. Liderët bashkë me shpurën e tyre janë ata që edhe vetë e kanë shkelur Kushtetutën. Së fundmi, edhe presidenti i vendit tentoi ta bënte një shkelje flagrante në rastin e ushtrisë, por u zmbraps nga kjo aventurë, pas shuplakës amerikane. Shkelje e Kushtetutës është bërë edhe nga negociatorët e marrëveshjes që solli Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kjo gjë është konstatuar nga vetë Gjykata Kushtetuese. Një tjetër abuzim duket se ka ndodhur edhe në rastin e Demarkacionit, të cilin pushtetarët po përpiqen ta mbulojnë me çdo kusht.

Por, dielli me shoshë nuk mbulohet. Kushtetuta në letër mund të jetë një dokument shumë modern dhe funksional, por në terren situata është ndryshe. Sa i përket sundimit të ligjit, Kushtetuta garanton barazi për të gjithë, por në të vërtete gjykatat në Kosovë për dikë janë nënë, e për të tjerë njerkë. Qytetarët e rëndomtë, ata të paskrahë, pa mbështetje politike, që nuk janë në klane e grupe të interesit, e pësojnë gjithnjë dhe për ta realizuar të drejtën e tyre, duhet të vuajnë shumë vite në dyert e gjykatave dhe prokurorive. Në rrafshin ekonomik, Kushtetuta garanton ekonomi të tregut të lirë, por dihet cila është e vërteta sot, oligarkët kanë futur në duart e tyre gjithçka. Rasti i homologimit të automjeteve është tipik për ta ilustruar këtë situatë të rëndë dhe shkelje skandaloze të kushtetutës dhe Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Në çdo sektor, ka abuzime të shumta. Në shëndetësi për shembull, situata është shumë e rëndë. Publiku është tronditur nga lajmi për rënien e një bebeje të sapolindur në korridoret e QKUK-së. Lajme të tilla dëgjon shpesh në vendin tonë ku Kushtetuta nuk përfillet dhe qytetarët shkelen nga sundimtarët.

(Kosova Sot)