Editoriali: Modeli i munguar i qeverisjes nga politikanët e dështuar!

  • 10 April 2017 - 16:56
Editoriali: Modeli i munguar i qeverisjes nga politikanët e dështuar!

Që prej përfundimit të luftës në Kosovë dhe fillimit të vetëqeverisjes në secilin nivel të pushtetit, e përbashkëta e çdo qeverie, ku zakonisht kanë dominuar partitë e mëdha, edhe kur ndonjëra rastiste përkohësisht në opozitë, mungoi shembulli i qeverisjes së mirë. Në nivelin qendror dhe atë lokal të qeverisjeve deri më tani, asnjë nga partitë nuk mbërriti të krijonte një model pozitiv që të merrej si shembull nga të tjerët. Asnjëri lider, udhëheqës, i deritashëm nuk la gjurmë pozitive, për t'u ndjekur nga të tjerët. Ngjashëm ishte situata edhe në organet drejtuese të sistemit gjyqësor, që edhe sot vuan nga kriza, inkriminimi, korrupsioni, politizimi i skajshëm. Edhe atëherë kur u ngjall një fije shprese se me ndryshime politike do të krijohej një model i ri qeverisjeje, për fat të keq, ngjarjet na çuan te histori jahtesh për motive korruptimi, ku kryetari i vetëshpallur i kinse pakorruptuar shfaqet i lidhur ngushtë me mafio-oligarkët e inkriminuar e monopolistë. Nuk ka asnjë kryetar komune apo kryeministër, asnjë ministër apo zyrtar tjetër i lartë, që mund të krenohet sot me modelin që ka lënë pas, ose modelin që është duke e promovuar sa është në pushtet.

Të gjithë së bashku e kanë vetëm një emërues - pasurimin e pandashëm përmes korruptimit, për tenderët dhe zhvatjes së aseteve publike. Modeli i vërtetë që ofruan politikanët kosovarë është pasurimi i shpejtë, i dyshimtë, korruptiv e inkriminues, dhe injorimi i interesave të qytetarëve. Për shkak të politikës së papërgjegjshme, ecja e Kosovës, pavarësisht disa momenteve të rëndësishme, ishte e çalë. Kemi humbur vite të çmuara, si pasojë e keqqeverisjes, bllokadave, inateve politike, luftës së egër për pushtet dhe zona interesi. Pa krijimin e një modeli të mirë, i cili nuk ka nevojë të shpiket, sepse shembuj kemi sa të duash në botën demokratike, është vështirë të shkojmë përpara. Mund ta mashtrojmë veten dhe njëri-tjetrin pafundësisht, duke folur për rritjen e madhe ekonomike, për qeverinë gjoja të pakorruptuar etj., por e vërteta është ndryshe. Në këtë vend ka pllakosur një dëshpërim i madh për qytetarët dhe bizneset e palidhura me qeveritarë e politikanë, ku vetëm pushtetarët janë të qetë e të kënaqur me rritjen e madhe e të pandalshme të pasurisë së tyre, sepse po i stërmbushin xhepat, kontot bankare dhe asetet në pronësi të tyre, ndërsa shumica e qytetarëve pandalshëm mendojnë se si të ikin një orë e më parë nga Republika e tyre e pashpresë. 

(Kosova Sot)