Editoriali: Standardi i dyfishtë ndërkombëtar

  • 11 April 2017 - 17:13
Editoriali: Standardi i dyfishtë ndërkombëtar

Ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe përfaqësues të BE-së në Kosovë kanë reaguar ndaj deklaratave të cituara nga mediet të një politikani opozitar, ku paralajmërohen ditë jo të mira për serbët, nëse ish-kryeministri Ramush Haradinaj ekstradohet në Serbi, por diplomatët në fjalë nuk e kanë hapur gojën kurrë kur presidenti i Serbisë, Nikoliq, bënte ftesë për luftë kundër shtetit kosovar. Kur ndonjë politikan shqiptar e tejkalon etikën e shprehjes, duke prekur minoritetet, ndërkombëtarët janë gjithnjë në nivelin maksimal të vigjilencës, për të reaguar. Megjithatë, në rastin kur zyrtarë të lartë të shtetit fqinj hapur provokojnë tensione dhe incidente, bëjnë thirrje luftarake e ndërmarrin veprime kërcënuese e të rrezikshme, zakonisht nuk e bëjnë asnjë status në rrjetet sociale. Mbështetja e faktorit ndërkombëtar në shumë aspekte është e çmuar për popullin e Kosovës, por nuk duhet të harrojmë se ka disa tema, në të cilat as kosovarët nuk mund të sillen si "dele". Për shembull, në rastin e krimeve të luftës dhe gjenocidit të ushtruar nga regjimi i këtyre që sot janë në pushtet ne shtetin fqinj, Vuçiqit dhe Daçiqit, është e pafalshme, që sot kriminelët enden në liri në Serbi, ndërsa për viktimat nuk ka kurrfarë drejtësie. 18 vjet pas përfundimit të luftës nuk ka as ndëshkim nga drejtësia për masakrat që përkujtohen gjatë kësaj periudhe, as kompensim për dëmet miliardëshe të luftës nga Serbia. Asnjë ambasador, diplomat apo zyrtar evropian nuk e ka hapur gojën për një padrejtësi të tillë. Te gjitha viktimat meritojnë drejtësi, ndërsa të dëmtuarit shpagim për ato që pësuan gjatë luftës nga Serbia fashiste e gjenocidale. Është më se normale, që një situatë kaq kritike të shkaktojë frustrime te shqiptarët, të cilët asnjëherë nuk kanë besuar se, pas gati dy dekadash, do të vendosej një balancë e tillë hibride e hipokrite mes agresorëve dhe viktimave. Pakica serbe dhe secila pakicë tjetër e ka të garantuar jetesën e qetë në Kosovë dhe askush, përfshirë politikanët, nuk kanë të drejtë dhe as nuk duhet t'i trembin ata. Por, në anën tjetër, nuk mund të heshtim së kërkuari drejtësinë e munguar dhe të protestojmë kundër standardit të dyfishtë që padrejtësisht e kanë vendosur ndërkombëtarët në këtë vend.

(Kosova Sot)