Editoriali: Llogaridhënia e munguar, Qeveria e papërgjegjshme, Kuvendi jopërfaqësues

  • 12 April 2017 - 17:02
 Editoriali: Llogaridhënia e munguar, Qeveria e papërgjegjshme, Kuvendi jopërfaqësues

Në seancën e djeshme parlamentare, kryeministri dhe dy ministra të kabinetit, u ballafaquan me pyetje të deputetëve, një ngjarje e rrallë për Kuvendin, që zakonisht është shpërfillur nga ekzekutivi. Në të shumtën e rasteve, kreu i Qeverisë shfaqet i vetmuar, ndërsa ministrat e tij ose janë duke shëtitur nëpër botë, ose janë në angazhime të parëndësishme për qytetarët.

Edhe dje, kishte mungesë të ministrave, të cilët duhet të detyrohen me ligj që t'u përgjigjen pyetjeve, që shtrojnë përfaqë- suesit e popullit. Edhe këta të fundit nuk është se kanë shkëlqyer, sepse me ndonjë përjashtim tek-tuk, zakonisht, kanë luajtur lojëra politike, duke u bërë pjesë e grupacioneve të ndryshme, klaneve partiake apo biznesore. Kjo është e meta kryesore e këtij Kuvendi jopërfaqë- sues, që duke iu nënshtruar Qeverisë, ka shkelur mbi interesat e votuesve, që i kanë deleguar deputetët në institucionin më të lartë të Republikës.

Nëse do të shtroheshin me kohë çështje jetike për shtetin, për qytetarët, të paktën një pjesë e tyre, edhe mund të kishin marrë zgjidhje. Por, shumica e deputetëve janë nën ndikime të klientelave të caktuara dhe nuk arrijnë dot të dalin kundër interesit personal, për hir të interesit publik. Si rrjedhojë, edhe projektligje, si ai për ekzekutimin e sanksioneve penale, sërish shtyhen për ndonjë seancë tjetër, duke nxitur reagime, siç qe kritika e ambasadorit amerikan, që foli direkt për lidhjet e krimit me politikën. Në këto zhvillime, opozita është e përçarë, ndërsa partitë e mëdha po heshtin, duke mos u mërzitur shumë për dështimet e njëpasnjëshme në Kuvend, mungesën e shpeshtuar të kuorumit etj.

Kjo shkrehje institucionale është e patolerueshme. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi në këtë shtet, për veprimet që ndërmerren, për arbitrazhet që po rrezikojnë buxhetin e Kosovës, për mungesën e llogaridhënies së zyrtarëve përgjegjës.

(Kosova Sot)