Editoriali: Premtimet ishin një mashtrim i madh

  • 13 April 2017 - 16:58
Editoriali: Premtimet ishin një mashtrim i madh

Me afrimin e kalendarit të rregullt elektoral në komuna dhe shtimin e gjasave për një proces të ri zgjedhor të parakohshëm, edhe në nivelin nacional, po fryhen përditë e më shumë edhe deklaratat publike të liderëve kosovarë. Një deklaratë e dhënë dje, që mund ta ilustrojë këtë eufori politike paraelektorale, është ajo e kryeministrit aktual, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për përmbushjen e mbi 90 për qind të zotimeve elektorale nga kjo parti, aty ku është në pushtet. Pa hyrë në shumë zotime të fushatës dhe pjesën programore, që nuk përputhen me shifrën e dhënë, mjafton të përmendim vetëm njërin nga premtimet e forta - punësimin e 120 mijë njerëzve.

Sa më tepër ikën mandati, aq më shumë pushteti përpiqet të manipulojë me statistikat që tregojnë performancën ekonomike, punësimin, investimet etj. Edhe me fryrjen e të dhë- nave nga agjencitë shtetërore është e pamundur që të "sigurohet" përmbushja e atij premtimi ambicioz për punësim. PDK-ja kishte premtuar 200 mijë vende të reja pune, ndërsa LDK-ja u tregua më modeste, duke zbritur në 80 mijë vende. Por, as njëra, as tjetra, edhe pse janë bashkë në Qeveri, nuk janë duke e mbajtur zotimin. Gjatë mandatit të kësaj qeverie, ka pasur fluks emigrantësh kosovarë drejt BE-së, shtim të varfërisë, rritje të çmimeve dhe rënie të investimeve të huaja.

Për një vend pune konkurrojnë mijëra kosovarë, të cilët shpresën e vetme po e shohin emigracionin. Me këto paga të ulëta, me të cilat shumica mezi i mbajnë familjet, është absurd që një parti, një lider, të mburret se gjoja paska bërë çudira. Partitë e mëdha sidomos, që janë në pushtet, duhet të mbajnë përgjegjësi për fjalën e dhënë. Premtimet e vetme që ato i kanë mbajtur mund të lidhen me emërimet nepotike dhe klanore, tenderët korruptivë dhe forcimin e lidhjeve klienteliste. Premtimet e tjera, që votuesit i mbajnë mend fare mirë, as që i ka përmendur kush deri më sot. 

(Kosova Sot)