Editoriali: Shuplaka për klasën politike

  • 14 April 2017 - 17:00
Editoriali: Shuplaka për klasën politike

Brenda një dite, përfaqësues ndërkombë- tarë gjatë vizitave të tyre dërguan porosi të qarta për klasën politike kosovare, e cila po vazhdon të tregohet e paaftë për t'i çuar përpara proceset e nisura. Edhe senatori republikan McCain, edhe ministri i Jashtëm gjerman, Gabriel, kërkuan që Kosova sa më parë të miratojë marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ndërsa tërhoqën vërejtjen për ngutinë me Ushtrinë. SHBA-ja, si superfuqia botërore, dhe Gjermania, si superfuqi evropiane, mbeten në krah të vendit tonë, por është e qartë se mbështetja e tyre, nëse nuk kryhen detyrat e shtëpisë, mund të zbehet. Këto dy vende, por edhe shtete të tjera, mbështetëse të pavarësisë së vendit tonë, kanë investuar shumë në projektin kosovar dhe nuk duan të dalin të zhgënjyer prej këtu.

Prandaj, edhe vizitat e djeshme dhe apelet përkatëse duhet të shërbejnë si një nxitje e fuqishme për t'u treguar më të përgjegjshëm politikanët kosovarë, të cilët po e shpërdorojnë besimin publik dhe po abuzojnë me pushtetin. Krerët e Republikës duhet të kenë kurajën që të ballafaqohen me situata të vështira, t'ua shpjegojnë miqve ndërkombëtarë specifikat e secilës marrëveshje, si në rastin e Demarkacionit. Nëse vërtet është konstatuar se janë bërë gabime, atëherë nuk ka kurrfarë arsyeje që të mos rishikohet ajo marrëveshje. Kufiri nuk vendoset përditë dhe nga historia e dimë se sherret për kufijtë u kanë kushtuar shtrenjtë vendeve të rajonit.

Nga ana tjetër, kur është fjala për ushtrinë do të ishte mirë që presidenti, që e nisi pastaj u tërhoq nga nisma e pakoordinuar, të kërkonte të paktën falje publike për gabimin skandaloz që bëri. Ky është edhe një shembull tjetër se si nuk duhet të veprojnë liderët kosovarë, të cilët pasi e kanë shtrirë sundimin kudo në vend, tash mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan. Është koha e fundit për këtë klasë politike që të reflektojë dhe të sillet në përputhje me interesat nacionale. 

(Kosova Sot)